Pas ditėve tė ngarkuara me tension, dhunė e protesta qė shkaktuan madje edhe viktima e tė plagosur, Greqia mė nė fund merr lajmin e mirė e tė shumėpritur.
Eurogrup ndezi "dritën jeshile" për pagimin e këstit të gjashtë të kredisë për Greqinë, gjatë takimit që zhvilloi mbrëmë në Bruksel.
Lëvrimi i këstit të 8 miliardë Eurove do të ndodhë dy javët e para të nëntorit, pasi kreu i Përgjithshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, të rekomandojë lirimin dhe transferimin e miliardave në Athinë.
Komunikata e Eurogrupit pas vendimit, vë në dukje se
ministrat e financave të eurozonës diskutuan rezultatet e vlerësimit të programit ekonomik të Trojkës dhe pajtohen me analizën e Komisionit Evropian, FMN-së dhe BQE-së, mbi qëndrueshmërinë e borxhit.
Eurogroup mirëpriti përpjekjet domethënëse fiskale të ndërmarra nga qeveria greke, të cilat do të mundësojnë arritjen e qëllimeve të saj për 2012.
Vendimi i Eurogrupit për këstin e gjashtë është një hap pozitiv që vjen menjëherë pas votimit të projekt-ligjit të masave te ashpra ekonomike në Parlamentin grek, i cili sipas qeverisë dhe Trojkës garanton objektivat buxhetore në vitin 2012 dhe vendos bazat për ndryshimet e nevojshme strukturore.
Ndërkaq vazhdojnë konsultimet e liderëve europianë për të gjetur një zgjidhje të përhershme të krizës së borxhit në Greqi. Edhe pas vendimit për lirimin e këstit të gjashtë të kredisë, cështja e borxhit grek do te jetë temë kryesore në Samitin e liderëve të BE të së dielës dhe të mërkurës.
Ndërkohë, raportet në shtypin francez flasin për "reduktim" të borxhit grek me të paktën 50%. Për më tepër, shihet mundësia e krijimit të një stafit të përhershëm të Trojkës në Greqi.