Ke lėnė nė Akademinė e Shkencave pėrvjetorin e Dritėro Agollit, me dėshirėn qė nė Black Box tė Akademisė sė Arteve tė gjesh njė shteg pėr ta ēarė marrjen e frymės qė shkakton apologjia politike pėr kulturėn e djeshme zyrtare nė fuqi.
Në njërën sallë duartrokitet për dije sokratike pohimi i shkrimtarit i cili sapo e ka krahasuar artistin me maçokun që i pëlqen ta mbështesë kokën në prehrin e politikanit (e më të fortit). Në atë sallë ku njerëzit i mban bashkë pështyma e kauzave të djeshme, nuk ka pyetje për letërsinë dhe as për jetën publike të tjetrit, as për rolin shoqëror e as për moralin politik të shkrimtarit.
Takimi në Black Box të Akademisë së Arteve për 100-vjetorin e lindjes së Millosh Gjergj Nikollës organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Universiteti i Tiranës (Departamenti i Letërsisë në Fakultetin e Historisë e Letërsisë) jep shenja se ekzistojnë përpjekjet për t’i ndarë domenet e influencave të jashtme mbi letërsinë. Për sa kohë ekziston letërsia e mirë si gjallesë do të ekzistojë antikonformizmi dhe shqetësimi, dyshimi dhe diskutimi, e kështu më tej në një jetë të përbashkët të njeriut me letërsinë.
Në leximin që i bëhet Migjenit dallohen dy burime që drejtohen njëri për nga interpretimi jo tradicional i veprës dhe tjetri për nga biografia dhe origjina etnike e autorit, gjithnjë përmes dokumenteve.
Persida Asllani trajton poetikën e skandalit në prozën e poezinë e Migjenit dhe stilin e tij, si një stil i hapur drejt të ardhmes. Studiuesja nxjerr nga leximi i skandalozes në tekstin migjenian tabutë e seksit e të erosit, të incestit e homoseksualitetit. Asllani kujton se “Vargjet e lira” botuar gjashtë vjet pas vdekjes së poetit, më 1944, përgatiteshin për një vdekje tjetër, për “leximin këmbëngulës ideologjik dhe fabrikimin sistematik të një miti pre realist-socialist të veprave të tij. Përveç varfërimit të përgjithshëm në perceptim duke e salduar Migjenin thjesht dhe mjerueshëm në kutizën e një poeti të mjerimit materialist, kjo zhvendosje fillestare e receptimit të paradigmës artistike shkaktonte varfërimin e receptimit të tij, zbehu ndjeshmërinë ndaj formës dhe asgjësoi rezonimin e një poetike të skandalit brendashkruar strukturës së tekstit”.
Raportet e veprës së Migjenit me kristianizmin duket një temë e parapëlqyer për studiuesit. Dy diskutime u mbajtën mbi këtë subjekt. Shaban Sinani bën një vështrim tekstologjik dhe del në përfundimin që Bibla, letërsia ungjillore është ndoshta më kushtëzuesja nga të gjithë tekstet në veprën e Migjenit: “Pyetja është se deri në ç’shkallë vargjet e lira dhe prozat e poezitë e Migjenit kanë simetri me tekstet ungjillore.” Për të verifikuar këtë simetri studiuesi i referohet rrafshit figurativ ku mund të bëhet paralelja e “Parathënia e parathënieve” me “Këngët e këngëve” apo “Dy Milloshët” me “Dy natyrat e Krishtit”. Dhe në nivelin e leksikonit gjuhësor “duke përjashtuar leksemat të cilat kanë pasur përhapje të gjerë vetëm prej atyre që janë tipike të ligjërimit liturgjik”, studiuesi Sinani përmend: blasfemi, kredo, apoteozë, ati ynë, ishujt e rremë, idhujt pa krena, parajsa, dreqnit, molla e ndalueme, dielli, vuajtja, urdhëresat, shkëndija, yjet, engjëjt, tempujt, zotat, ringjallja, jeta e re, psalmet, mëshira, shpirti i sëmund, kënga e re, drita, ndjesa, lumnitë, lajmi i mirë etj..
Eljon Doçe evidenton risitë formale në prozën e shkurtër të Migjenit nëpërmjet analizës strukturaliste të skicës “Bukuria që vret” ku vdekja vjen e veshur me ngjyrë të bardhë dhe vrasja merr nota poetike si vrasje shpirtërore.