Heqja e masave tė reciprocitetit ndaj Serbisė dhe stabilizimi i marrėdhėnieve me Kosovėn, nuk ka ndryshuar fare raportet tregtare mes dy shteteve. Raporti tregtar mes Kosovės dhe Serbisė ėshtė regjistruar tė jetė 100 me 1, nė favor tė Serbisė, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Gjatë këtyre ditëve në pikat kufitare me Serbinë kanë kaluar nga Kosova gjithsej 7 kamionë me mallra kosovare. Nga Serbia kanë ardhur më shumë se 700 kamionë me mallra të ndryshme serbe në Kosovë”, ka deklaruar të dielën zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci.
Sipas tij, tre kamionët e fundit të eksportuar nga Kosova kanë bartur çimento dhe mbeturina të letrës.
Përfaqësuesit e bizneseve kosovare thonë se ende nuk e kanë hequr dyshimin se vërtet Serbia është duke e zbatuar marrëveshjen e arritur për njohjen e vulave doganore. Kalimi në Serbi i kamionëve të parë, as për ministren e Tregtisë dhe të Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, nuk garanton se Serbia do ta zbatojë me të vërtetë marrëveshjen me Kosovën.
“Kjo do të thotë se në këto raste specifike ka filluar zbatimi i marrëveshjes, por nuk mund të kemi garanci, për arsye të ndërrimit të qëndrimit të Serbisë edhe herëve të tjera. Nuk e di nëse është kjo vetëm tolerancë para takimit të ardhshëm që do të mbahet në Bruksel, më 27-28 shtator, apo është një qasje që do të vazhdojë edhe në të ardhmen, në përputhje me pranimin e ndërsjellë të vulave. Kjo mbetet të shihet. Shpresojmë se do të jetë një qasje më e përhershme, sesa e përkohshme, për të përfituar nga momenti apo për të treguar një vullnet të momentit nga ana e Serbisë deri në arritjen e një marrëveshjeje tjetër dhe pastaj të fillohet me probleme”, ka thënë Kusari-Lila për radion Evropa e Lirë.
Por, edhe nëse Serbia vërtet do të zbatojë marrëveshjen, tregtarët kosovarë thonë se e kanë të vështirë të zënë vend në tregun e Serbisë.
“Prodhuesit kosovarë e kanë të vështirë të gjejnë treg në Serbi. Konsumatorët atje kanë një vetëdije më të lartë nacionaliste dhe vështirë është të binden për konsumimin e prodhimeve tona”, thotë Agim Shahini, përfaqësues i bizneseve vendore.
Sipas tij, prodhuesit vendorë duhet të fokusohen më shumë në zgjerimin e tregut të tyre brenda vendit dhe investime në vetëdijesimin e kosovarëve për konsumimin e më shumë produkteve vendore.
“Shpresa e vetme është tek vetëdija jonë qytetare për konsumimin e produkteve vendore. Neve na mungon vetëdija qytetare dhe nacionaliste për konsumimin e produkteve vendore, andaj duhet një angazhim më i madh i institucioneve tona që të rrisim këtë vetëdije”, thotë Shahini.
Sipas tij, 40-ditëshi i embargos ndaj prodhimeve serbe mund të mbetet vetëm një kujtim i mirë për prodhuesit kosovarë nëse nuk merren masa për mbrojtjen e prodhimeve vendore.
Berat Rukiqi, nga Oda Ekonomike e Kosovës, frikohet se Serbia nuk do të zgjedhë mënyra për t’u rikthyer në tregun kosovar.
“Prodhuesit kosovarë kanë pasur një rritje të prodhimit dhe të shitjes gjatë kësaj periudhe. Por, për 40 ditë nuk mund të fitohet asnjë treg. Frika jonë është se edhe kjo rritje e prodhuesve vendorë mund të bjerë nëse ne nuk krijojmë politika antidamping. Prodhuesit serbë mund të kthehen në tregun tonë me çmime shumë më të ulëta vetëm e vetëm për ta rimarrë tregun që do të shkonte në dëm të prodhuesve tanë”, thotë Rukiqi.
Mbrojtje nga prodhuesit serbë që po ripushtojnë tregun kosovar kërkojnë edhe vetë prodhuesit.
“Të vetmet shpresa tani i kemi te konsumatorët vendorë dhe mbrojtja nga shteti në raport me prodhuesit e tjerë që mund të hyjnë në tregun tonë me çmime jo reale vetëm e vetëm për të rimarrë tregun. Kemi informacione që Qeveria e Serbisë ka dhënë premtimin për prodhuesit e saj që eksportojnë në Kosovë se do t’u japë subvencione. Dhe, nëse nuk mbrohemi nga kjo politikë serbe, ne prapë do të kthehemi në vendin ku kemi qenë para masave të reciprocitetit”, thotë Bashkim Osmani, pronar i fabrikës për prodhimin e lëngjeve “Dona”.
Ai nuk pret që Qeveria e Kosovës t’i subvencionojë ata, por kërkon që të paktën të intervenohet me politika të reja fiskale.
Serbia tash tri vite ka bllokuar hyrjen në territorin e saj të mallrave kosovare si dhe kalimin transit të tyre, për shkak të ndërrimit të vulave nga ato të UNMIK-ut në ato të Republikës së Kosovës. Që nga ajo kohë prodhuesit kosovarë nuk kanë pasur qasje në tregun serb. Qeveria e Kosovës, tri vite më vonë, më 20 korrik, vendosi masa të plota reciproke ndaj produkteve serbe, masa këto që u ndërprenë më 16 shtator. Produkt më i kërkuar nga tregu serb, pas marrëveshjes për vulat doganore, është çimentoja dhe mbeturinat e letrës e të hekurit.
Analistët, ditëve të fundit kanë vlerësuar se refuzimi i Serbisë për të lehtësuar qarkullimin e mallrave nuk ka karakter ekonomik, por më shumë politik, duke marrë parasysh se Kosova nuk paraqet fuqi prodhuese dhe konkurruese për kompanitë serbe.