Pas vendimit pėr masa tė reciprocitetit ndaj produkteve tė Serbisė, vendet e rajonit bėnin luftė pėr tė marrė tregun e Kosovės. Kėshtu sė paku deklaronin autoritetet e Kosovės. Brenda njė periudhe shumė tė shkurtėr, Kosovėn e vizituan afaristė tė shumtė nga vendet e rajonit, si nga Bullgaria, Kroacia dhe vende tė tjera.
Por tani, pas pranimit të vulave të Doganave të Kosovës nga Beogradi zyrtar, organizatat ekonomike në vend thonë se kjo nuk do të pengojë aspak futjen e markave të reja nga shtete të tjera, të cilat nuk kanë qenë të pranishme në tregun e Kosovës në shkallë të duhur.
Arian Zeka, udhëheqës i Departamentit të Politikave në Odën Ekonomike Amerikane, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet e vendit dhe kompanitë e ndryshme kosovare, të cilat kishin ftuar këto biznese nga vendet e tjera të rajonit që të vijnë dhe të shohin mundësinë e investimeve të tyre në Kosovë, nuk duhet të tërhiqen nga iniciativat e tyre.
“Kemi parë muajve të fundit vizita grupore të bizneseve të ndryshme të vendeve të rajonit, të cilat kanë ardhur të interesohen për tregun e Kosovës, kanë qenë të mahnitura me kushtet që ofrohen këtu. Gjithashtu kanë shkëmbyer kontakte me partnerët e mundshëm afaristë të vendit dhe mendoj që një lidhje e krijuar mes partnerëve vendorë dhe atyre të rajonit duhet të vazhdojë pa marrë parasysh vendimeve që do të merren për heqjen e masave të reciprocitetit”, thekson Zeka.
Iniciativat e vendeve të rajonit për tregun e Kosovës, edhe sipas kryetarit të Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, ishin të mira, por që tani, pas arritjes së marrëveshjes me Serbinë për vulat e Doganave te Kosovës, kjo mund të ndryshojë situatën. Ai thotë se tani afaristët nga vendet e rajonit do të hezitojnë të hyjnë në tregun e Kosovës, për shkak të privilegjeve që Serbia ka në Kosovë. Gjatë një vizite të një delegacioni afarist nga Bullgaria, ata kishin qenë të interesuar mjaft për plasimin në tregun e Kosovës të produkteve të tyre bujqësore dhe atyre ushqimore.
Ndërkaq, sipas kryetarit të Aleancës Kosovare të Biznesit, gjatë periudhës gati dy mujore të masave të reciprocitetit për produktet e Serbisë, ka pasur disa marrëveshje të realizuara me Shqipërinë.
”Ka pasur fluks të importit të prodhimeve nga Shqipëria. Shqipëria dhe Serbia janë dy shtete që përafërsisht kanë kushte e njëjta për eksport në Kosovë, por fuqia prodhuese e Serbisë është më e madhe se e Shqipërisë, por tani Kosova dhe Shqipëria dalëngadalë do t’i rrisin kapacitet prodhuese dhe do të mund t’u bëjnë konkurrencë produkteve të Serbisë”, thekson ai.
Periudha e reciprocitetit ndaj produkteve të Serbisë, sipas njohësve të çështjeve ekonomike, ka ndikuar në vetëdijesimin e konsumatorëve se secili produkt serb është i zëvendësueshëm, madje edhe me cilësi shumë më të lartë.