Shkaktohen dy viktimat e para nga virusi i Nilit Perėndimor nė Greqi. Autoritetet shėndetėsore nė vend janė vėnė nė alarm pėr shkak tė pėrhapjes sė virusit vdekjeprurės.
Pacientët që humbën jetën ishin të dy mbi 65 vjeç. Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve njofton se në përgjithësi në gjithë vendin, ka shkuar në 46 numri i personave të konfirmuar si të infektuar nga virusi i Nilit Perëndimor.
Nga këto raste, 36 pacientëve iu ishte prekur sistemi nervor qendror, ndërsa në 10 raste sëmundja ishte shfaqur me shenja më të buta. Personat e infektuar nga virusi i Nilit Perëndimor janë nga rajoni i Atikës, Selanikut, Kardisa, Larisa, Trikala, Serres, Imathia, Viotias dhe Pella.
Mjekët japin këshilla për mbrojtjen nga mushkonjat, të cilat janë shkaku i përhapjes së këtij virusi të rrezikshëm, që është quajtur me këtë emër, për shkak se u njoh së pari në provincën e Perëndimit Nilit në Ugandë në vitin 1937.
Virusi i Nilit Perëndimor përcillet nëpërmjet kafshimit të mushkonjës së infektuar, transfuzionit të gjakut dhe jo nga njeriu tek njeriu. Në një përqindje, ai mund të shkaktojë komplikime në sistemin nervor qendror, si encefalit ose meningjit, ndërkohë që shumica e pacientëve kanë simptoma më të lehta. Simptomat përfshijnë ethe, dhimbje koke të lartë, apati, të dridhura, konvulsione, dobësi të muskujve dhe paralizë. Pas kafshimit të mushkonjës deri në shfaqjen e simptomave, duhen zakonisht nga 2 deri në 14 ditë.
Në Greqi në muajt e verës së vitit të kaluar u infektuan rreth 250 persona, nga të cilët 35 vetë, kryesisht të moshuar, gjetën vdekjen.