Rindėrtimi i Xhamisė Hatunije ėshtė nė fazėn e fundit. Asaj po i vihen kupolat mbi katin e katėrt i cili ėshtė shtuar sė fundi. Pos kėsaj, nuk ruan asgjė nga objekti pesėshekullor qė gjendej aty. E vetmja qė i ka mbetur ėshtė emri i asaj qė mendohet se nė shekullin XV e ndėrtoi xhaminė.
Që kur Bashkësia Islame e Kosovës - e cila veten e konsideron pronare të Xhamisë së mbrojtur nga Ligji për trashëgimi kulturore – ka marrë vendim që në themelet e Xhamisë së vjetër të ndërtojë një të re, ajo e ka vënë në lajthitje pushtetin. Një vendim i ish-ministrit të Kulturës, Lutfi Haziri, që objekti të ndërtohet ashtu siç ka qenë, nuk është marrë parasysh.
Në anën tjetër, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës dhe Instituti i Prishtinës për Mbrojtjen e Monumenteve janë të ndarë në qëndrimet e tyre për vazhdimin e punimeve në xhami. E Bashkësia Islame nuk po i ndal punimet. Në zemër të Prishtinës së Vjetër, ku të gjitha ndërtesat nuk janë më të larta se dy kat, Xhamia Hatunije është më e larta.
Institucionet për mbrojtjen e trashëgimisë, të pakoordinuara
I pari i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve dhe i Muzeut Rajonal të Prishtinës, Haxhi Mehmetaj, ka thënë se qëndron prapa vendimit të institucionit të tij, në të cilën ai ka vënë firmë.
“Asaj duhet t’i kthehet gjendja e mëparshme. Por me aq sa po shoh ajo nuk po ruan asgjë nga gjendja e saj e kaluar”, ka thënë Mehmetaj. Ai thotë se nuk po sheh asnjë përparim, ani pse ekziston një vendim për ndalimin e punimeve.
“Bashkë me këshilltarin e ministrit dhe drejtoreshën e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore, e kemi vizituar këtë objekt. Është konstatuar se nuk është duke iu përmbajtur vendimit që kishte nxjerrë MKRS-ja”, ka thënë Mehmetaj.
Mosmarrjes parasysh të këtij vendimit, Mehmetaj i ka dhënë një shpjegim.
“Kjo është shpërfillje e ligjit”, ka thënë Mehmetaj.
Krejt ndryshe ka bindjen Agim Gërguri, drejtor i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës. Ani pse janë të thirrur për t’i mbrojtur, ky institucion ka dhënë pëlqimin për rindërtimin e monumentit të vjetër.
“Bashkësisë Islame i është dashur, sepse ka qenë jofunksionale xhamia dhe njerëzit nuk kanë mundur të faleshin”, ka thënë Gërguri. Sipas tij, Xhamia Hatunije nuk ka qenë e mbrojtur me ligj.
Megjithatë, ai thotë se Xhamia do të ruajë diçka nga pamja e jashtme.
“Dritaret do të jenë të njëjta”, ka thënë Gërguri.
Ai thotë se ka dërguar në Ministrinë e Kulturës qëndrimin e Institutit që drejton, ndërsa i mbetet institucionit më të lartë të kulturës në vend që të vendos për “fatin” e “Hatunijes”.
Zyrtarë të Ministrisë së Kulturës për dy ditë nuk kanë dhënë përgjigje për këtë çështje.
Por Bahri Sjediu, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame për Prishtinë, ka thënë se ndërtimi i xhamisë është në fazën e fundit, por nuk ka mundur të japë një datë kur ajo do të përfundojë. Ai ka garantuar një gjë.
“Pjesët që do të ruhen akoma nuk kanë nisur, ato janë brenda”, ka thënë Sejdiu. Për Sejdiun është e rëndësishme, që në objektin e ri të kultit islam do të mund të kryejnë obligimet e tyre fetare 1.200 – 1.500 besimtarë.
Në anën tjetër, për ecurinë e punimeve të Xhamisë Hatunije, kishte reaguar ashpër edhe Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Drejtoresha ekzekutive e KKTK-së, Gjejlane Hoxha, ka thënë se ky këshill vazhdon të mbetet pa përgjigje në ankesën për Xhaminë Hatunije.
“Nuk kemi marrë asnjëherë përgjigje në pyetjen tonë, prej momentit që kemi dërguar letrën në adresë të institucioneve përkatëse”, ka thënë Hoxha, teksa ka shtuar se me këtë po shkelet ligji.
Ikja nga projekti
Xhamija Hatunije gjendet në zemër të Prishtinës së vjetër. Komuna e Prishtinës ka përcaktuar që në atë pjesë ndërtesat të mos jenë më të larta se dy kate. E “Hatunije” i ka katër. Me këtë, pos rrafshimit të monumentit, BIK-u ka ikur edhe nga plani që vetë kishte prezantuar në maj të vitit të kaluar. Kësisoj, ajo është ndërtesa më e lartë në të ashtuquajturën Prishtinë e Vjetër. Kjo, sipas Haxhi Mehmetajt, nuk ka qenë dashur të ndodhë.
“Nuk lejohet as me plan rregullues e as nuk lejojnë rregullat e trashëgimisë kulturore. Ka qenë dashur të lejohet të ndërtohet vetëm për aq sa ka qenë xhamia e vjetër dhe ashtu siç ka qenë ajo”, ka thënë Mehmetaj.
Ai thotë se nuk e di nëse BIK-u ka leje prej Komunës së Prishtinës për ndërtimin e Xhamisë. Por një gjë është e sigurt. Sipas ligjit, kur është fjala për objektet e trashëgimisë kulturore, Komuna para se të japë lejen duhet të marrë pëlqimin nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve i Prishtinës.
“Ata duhet të marrin udhëzime prej nesh. Për të gjitha ndërhyrjet në lagjen e vjetër ata na pyesin, të paktën kjo është përfillur në shumicën e rasteve prej vitit 2002”, ka thënë Mehmetaj. Ai ka thënë se, nëse Komuna i ka dhënë leje, për këtë nuk ka marrë pëlqim nga Instituti që ai drejton, ani pse Ligji e obligon kësisoj.
Por nëse ka ose jo leje, Muhamet Gashi, zëdhënës dhe njëherësh ushtrues detyre i drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Prishtinës nuk ka pasur përgjigje. Arsyetimi i tij ka qenë se nëpunësja që është marrë me këtë lëndë mund të jetë në pushim vjetor.
Bahri Sejdiu i BIK-ut ka thënë se kanë leje prej Komunës. Por sipas tij, ajo nuk ka specifikuar lartësinë.
“Kur e kemi marrë lejen, ajo ka paraparë rindërtimin e xhamisë, dhe nuk kanë qenë të definuara katet”, ka thënë Sejdiu. E ndryshimi i planit i kishte çuar ata prapë në Komunë.
“Kur kemi vendosur ta bëjmë një kat më shumë se sa që ka qenë e definuar në projekt kemi marrë leje nga Komuna”, ka garantuar Sejdiu.
Agim Gërguri, i IKMMK-së, nuk brengoset për këtë gjë.
“Ajo i takon urbanizmit. Ne japim pëlqimin vetëm për gjendjen e jashtme të xhamisë”, ka thënë Gërguri. “Edhe ashtu në Prishtinën e vjetër s’ka mbetur gjë”, ka shtuar ai.