TIRANE- Njė burrė dhe njė grua takohen rastėsisht jashtė njė burgu. Ai e ka gruan tė dėnuar, ajo ka bashkėshortin tė dėnuar. Nė burg ata vijnė pėr t'i vizituar dhe herė-herė kanė edhe marrėdhėnie seksuale. Por nė mes bashkėshortėve tė lirė, qė takohen para dyerve tė burgut, lind njė histori dashurie e destinuar tė marrė fund kur bashkėshortėt e tyre tė lirohen nga burgu prej njė amnistie.
Filmi "Amnesty", i pari me metrazh të gjatë për regjisorin shqiptar, Bujar Alimani, është një eksplorim delikat i një shoqërie në ndryshim, e ndarë mes pasionit dhe moralit. Ai ka fituar çmimin "Cineuropa" në festivalin e 12-të të Leçes. Pas vlerësimit më këtë çmim ai ka dhënë një intervistë për "Cineuropa" ku flet për filmin, idenë, shoqërinë shqiptare dhe prapaskenat.
Çfarë aspekti të vendit tuaj keni dashur të tregoni në këtë film?
Protagonistët e historisë sime, Elsa dhe Shpëtimi, janë dy njerëz si shumë të tjerë, që unë kam njohur në vendin tim të lindjes. Janë njerëz që kërkojnë emocione të vërteta në një jetë province e cila i mbyt ata, është një ferr. Janë shprehje të një Shqipërie që po ndryshon, një lloj balancimi mes të vjetrës dhe të resë, teksa përpiqen të gjejnë identitetin e tyre dhe rrugën e saj në Evropë.
Si lindi ideja e këtij filmi, meqë jeni edhe autor i skenarit?
Nga një artikull që kam lexuar në shtypin shqiptar, disa vite më parë, kur njoftohej se qeveria kombëtare merrte parasysh direktivat e Bashkimit Europian, për të lejuar vizitat burg, vizita speciale ku kryheshin edhe marrëdhënie seksuale. Mbi këtë unë kam ndërtuar historinë e dy njerëzve, të cilët vijnë nga periferia për të takuar bashkëshortët e tyre çdo datë 5 të muajit, pa pasion. E në një nga këto raste ata takohen në një bar përpara burgut.
Fytyrat e bashkëshortëve të dënuar nuk i keni shfaqur... Ata shihen vetëm nga pas...
Po, sepse dy protagonistëve nuk iu interesojnë, kështu që as spektatorit. Takimet e tyre në burg janë mekanike, pothuajse të dhunshme. Takimi mes Elsës dhe Shpëtimit, në të kundërt, është i pastër, pothuajse platonik.
Filmi juaj është i përmbajtur në dialogje. Është mënyra juaj e zakonshme e të punuarit?
Edhe në tre filmat e mi të shkurtër flitet pak. Përkundrazi në filmat shqiptarë, dialogjet janë shumë të rëndësishëm. Por unë kam tashmë në duar mjet shumë më të fortë: kamera, imazhe. Duhet të jetë formimi im si piktor (ka studiuar pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë). Me drejtorin e fotografisë kemi dashur që i gjithë filmi të kishte një ngjyrë okre, ngjyra e konjakut.
Cilët janë regjisorët nga të cilët ndikohesh?
Kiarostami, Loach, Leigh, Bergman, nga i cili kam mësuar artin e heshtjes, në fakt.
Si i keni zgjedhur aktorët?
Luli Bitri (Elsën) e kam parë në teatër; Karafil Shenën (Shpëtimin) e kam takuar në Greqi, ku unë jetoj aktualisht; Todi Llupi (babai i Elsës) është një aktor komik që interpreton në këtë film rolin e tij të parë dramatik. Kam rrezikuar sepse në fakt asnjeri prej tyre nuk është një yll në Shqipëri. Por, pikërisht për këtë ishte e lehtë t'i drejtoje, ata më besuan mua.
Është e vështirë të bësh filma në Shqipëri?
Shumica e regjisorëve kërkojnë shumë para, kur në të vërtetë ju mund të bëni një film të thjeshtë, me pak para, por që është një postier i mesazheve të forta. Si kinemaja iraniane. Për projektin tim të ardhshëm, ku jam në fillimet e mia, së shpejti do të kërkoj financim. Por unë mund të filloj të punoj edhe me 30-40 mijë euro.
Sa ka kushtuar filmi "Amnistia" dhe cili është plani i shpërndarjes?
Filmi ka kushtuar 700,000 € dhe është prodhuar nga "Fantasia Ltd", "Arizona Films" dhe "90 Productions", me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë në Shqipëri, Qendrës së Filmit në Greqi dhe Eurimages. Shpërndarja, tani për tani, është planifikuar në qershorin e ardhshëm në Francë, Greqi dhe në Shqipëri mes shtatorit dhe tetorit. /balkanweb/