Prishtinė, 11 prill - Projekti pėr ndėrtimin e autostradės Vėrmicė-Merdar, i cili do tė harxhojė arkėn pėr rreth njė miliard euro, sipas analizave qeveritare pritet t’i sjellė vendit njė rritje ekonomike rreth 2 pėr qind.
Sipas Qeverisë, përfundimi i këtij projekti ka beneficione të trefishta për vendin. Autostrada sipas qeveritarëve do të rrisë kapacitetet aktuale të infrastrukturës rrugore, do të lidhë Kosovën me akset ndërkombëtare, si Adriatiku dhe Korridori i Dhjetë, si dhe do të ndikojë në rritjen ekonomike të Kosovës për së paku 2 për qind. Ministri për Zhvillim Ekonomik, Besim Beqaj, nuk ka pranuar të japë shpjegime se në çfarë parametrash bazohen analizat qeveritare për rritjen ekonomike që do të sjellë ndërtimi i autostradës. Ndërsa, sipas programit qeveritar 2011-2014, prioriteti i mandatit të kaluar që ishte infrastruktura rrugore do të ketë statusin e njëjtë edhe për katër vitet e ardhshme. Ndërkaq, sipas parashikimeve që janë para dy vitesh në Kornizën Qeveritare për zhvillime makroekonomike në një vijë me kontributin që do të japë ndërtimi i autostradës në rritjen ekonomike ka qenë rritja e konsumit privat, e cila sipas qeveritarëve në vitet 2010 e 2011 do të kontribuonte me një mesatare prej 2 për qind. Po ashtu rritje ekonomike prej 2 për qind sipas qeveritarëve në fund të këtyre dy viteve do të siguronte edhe rritja e investimeve private e atyre publike. Ndërsa një rritje ekonomike prej 1 për qind, sipas analizave qeveritare do ta siguronte rritja e eksporteve. Ndërkaq, sipas “World Economic Outlook” dhe “Regional Economic Outlook”, të publikuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Kosova në vitin 2010 kishte një normë mesatare të rritjes ekonomike prej 5.39 për qind. Sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitin 2011, rritja ekonomike e Kosovës do të ketë një mesatare prej 5.9 për qind. Ndërkaq, për sa i përket financimit të ndërtimit të autostradës Vërmicë-Merdar vitin e kaluar qeveritarët u kishin raportuar përfaqësuesve të Komisionit Evropian në Prishtinë se kostoja e saj do të shkojë deri në një miliard euro. Ndërtimi i trasesë së autostradës sipas raportit të Qeverisë të prezantuar para zyrtarëve të KE-së do të kushtojë rreth 884 milionë euro, ndërkaq 90 milionë do të shpenzohen në shpronësime. Koston e shpenzimeve në autostradë do ta rrisë edhe angazhimi i kompanisë mbikëqyrëse të punimeve në autostradë. Për kryerjen e kësaj pune kompanitë private kishin prezantuar oferta në Qeveri që lëviz nga 2 - 10 milionë euro.
Në Njoftimin për Dhënie të Kontratës të shpallur nga Ministria për Transport e Postë-Telekomunikacion figuron çmimi prej 659 milionë eurosh, si vlerë e ofertës së konsorciumit amerikano-turk “Bechtel-Enka”. Ndërkaq pas lidhjes së kontratës me këtë konsorcium, kryeministri Hashim Thaçi pati deklaruar se kostoja e ndërtimit të autostradës do të sillet rreth 700 milionë euro. Për ndërtimin e autostradës këtë vit nga arka e shtetit pritet të harxhohen 225 milionë euro. Sipas linjave buxhetore për vitin 2011, shpronësimet në trasenë e autostradës do t’i kushtojnë Qeverisë 23 milionë euro. Vitin e kaluar për shpronësime ishin shpenzuar 15 milionë e 282 mijë e 764 euro për 27 kilometrat e para në segmentin Vërmicë-Novak. Ndërkaq, për ndërtimin e trasesë sipas raportimeve që ka bërë Ministria për Transport e Postë-Telekomunikacion gjatë vitit të kaluar ishin shpenzuar 107 milionë euro.