TIRANĖ- Kufizohet nė shtatė numri i kompanive qė kanė hyrė nė fazėn pėrfundimtare tė garės pėr ndėrtimin e tunelitė tė Kėrrabės nė rrugėn Tiranė-Elbasan. Gjatė paraditės sė djeshme janė hapur ofertat ekonomike tė kompanive qė kanė mbetur ende nė garė, tė cilat mė pas do tė shqyrtohen pėr tė nxjerrė edhe fituesin.
Fillimisht në garë për ndërtimin e tunelit të Kërrabës u futën 26 kompani, nga të cilat 13 u kualifikuan për në fazën tjetër, atë të dorëzimit të ofertave ekonomike. Edhe pse ishin 13 të tilla, mësohet se vetëm shtatë kompani kanë dorëzuar ofertat ndërsa gjashtë prej tyre për shkaqe ende të paditura janë tërhequr nga gara.
Fondi limit për ndërtimin e tunelit të akorduar nga qeveria shqiptare është 15.4 miliardë lekë ndërsa bazuar mbi këtë shifër janë pranuar edhe ofertat e kompanive.
Sipas kushteve bazë të tenderëve, fiton oferta më e ulët por kjo nuk ndodh gjithnjë, pasi në rastet kur kemi të bëjmë me oferta më të ulta se normalja, autoritetet kontraktuese marrin në shqyrtim edhe arsyet se përse kompanitë ofrojnë kaq pak. Kështu, për shembull nga fondi total prej 15.4 miliardë lekësh, ofertat e kompanive kanë variuar nga 54 për qind deri në 81 për qind të saj. Pra, të shtata kompanitë pjesëmarrëse në garë kanë ofruar një vlerë më të ulët se fondi limit i përcaktuar nga qeveria.
Referuar të dhënave të deklaruara paraprakisht nga ministri i Punëve Publike dhe Transportit Sokol Olldashi, një kompani ka marrë përsipër ta ndërtojë tunelin me rreth 8.5 miliardë lekë, ndërsa një tjetër me rreth 12.4 miliardë lekë. Të gjithë vlerat e tjera kanë qenë brenda këtij kufiri.
"Ajo që është për tu theksuar është që procedura tërësisht transparente dhe tender i hapur ka bërë që ofertat ekonomike të jenë shumë të volitshme, që do të thotë që nga 15.4 miliardë që ka qënë fondi limit për ndërtimin e tunelit, ofertat variojnë në një ulje që shkon nga 81 për qind e vlerës , oferta më e lartë ekonomike, në 54 për qind të vlerës që është edhe oferta më e ulët", - u shpreh Olldashi.
Ndër kompanitë që kanë dorëzuar tashmë ofertat janë amerikanët e "Bechtel", grekët e "Aktor", italianët e "C.M.C Ravenna", etj. Për sa i përket "Bechtelit", kompania sapo ka përfunduar punimet në segmentin Rrëshen-Kalimash, ndërsa tani synon të marrë përsipër edhe tunelin e Kërrabës.
Në bashkëpunim edhe me turqit e "Enka-s", "Bechtel" përfundoi punimet e tunelit të Kalimashit, eksperiencë që do t'i shërbejë edhe në garën për tunelin e Kërrabës. Grekët e "Aktor" gjithashtu, të cilët mësohet se kanë bërë edhe ofertën më të ulët kanë shprehur interes edhe për ndërtimin e veprave të tjera të ndryshme në vend. Kompania me seli në Athinë ka realizuar ura të mëdha dhe projekte të tjera gjatë ndërtimeve për lojërat olimpike në kryeqytetin grek.
Pas hapjes së ofertave, janë edhe disa hallka të fundit përpara se të shpallet kompania fituese. Brenda një jave, pritet që Komisioni i Vlerësimit të Ofertave të bëjë verifikimet dhe të marrë shpjegime nga kompanitë që kanë ofruar vlera të ulëta. Më pas, kompanitë e skualifikuara do të kenë shtatë ditë kohë për të paraqitur ankesat. Pas shqyrtimit të ankesave do të shpallet edhe fituesi. E gjithë kjo procedurë parashikohet të zgjasë rreth dy javë. /shekulli/