MPB nuk sheh rrezik nė rishfaqen e organizatės paramilitare Forcat e Bashkuara Maqedonase, ndėrkohė qė nuk do tė merren nė biseda informative krerėt e saj qė fyejnė shqiptarėt. Edhe MOS, sikurse ne i dėnuam incidentet nė Strugė dhe nuk ka tė keqe nėse janė tė gatshėm ti ndihmojnė atdheut, thotė Ivo Kotevski
Incidenteve ndëretnike në vend ende nuk ju shihet fundit. Apelet e politikanëve, drejtuesve fetarë dhe kryetarëve të dy komunave ku u regjistruan ofendime dhe incidente mes bashkësive etnike dhe fetare në vend, nuk ndikuan për të qetësuar grupet të cilat ndezin flakën ndëretnike. Këta të fundit, kanë filluar të rigrupohen në grupe dhe faqe në Facebook dhe rrjetet sociale në vend, të cilat mbajnë titujt tanimë të njohur antishqiptarë “Vdekje Shqiptarëve” dhe thirrjet për “djegien e xhamive myslimane”. Për të mos mjaftuar kjo, përmes një komunikate dërguar mediave dhe publikuar në faqen zyrtare në Facebook, është rishfaqur organizata paramilitare “Forcat e Bashkuara Maqedonase” të njohura me shkurtesën “MOS”. Në komunikatë, thuhet se janë të njëjtit që protestuan kundër gjykimit të gjeneralëve të akuzuar për rastin “Vreshtat e Rashtakut” dhe rikujtojnë institucionet shtetërore se janë të gatshëm “ti dalin Zot atdheut”. Ministria e Punëve të Brendshme, institucioni që duhet kujdesur për mbrojtjen e qytetarëve dhe arrestimin e gjithë atyre që prishinë rendin dhe qetësinë, ironizon gjithë situatën e krijuar duke thënë se nuk sheh rrezik për të ndërmarrë ndonjë aktivitet në parandalimin e incidenteve të mundshme. Madje, që ironia të jetë më e madhe, në MPB presin denoncime nga vet qytetarët e rrezikuar nga këto grupe. Zëdhënësi i policisë, Ivo Kotevski ironizon rreziqet si dhe vetë veprimin antiligjor të këtij grupacioni, duke kërkuar që qytetarët të denoncojnë nëse ndjehen të rrezikuar nga ky grupacion. Ai, thotë se MPB nuk mund të veprojë në bazë të fotografive të publikuara në Facebook dhe faqet zyrtare të këtij grupacioni paramilitarë, ku pjesëtarët e saj shihen madje edhe të uniformuar. “Tek ne nuk ka arritur asnjë komunikatë prej tyre. Gjithashtu, asnjë qytetarë nuk ka denoncuar paraqitjen e tyre e as ndonjë rrezik. Nëse ju ndjeheni të rrezikuar në ndonjë formë, mund edhe ju të paraqiteni dhe ne të marrim masa, por ne nuk mund të prejudikojmë për këtë që thoni ju. Ato mund të jenë fotografi të vjetra, si mund ta vërtetoni që janë të reja”, thotë Kotevski. I pyetur nëse është ftuar të japë shpjegime personi, i cili me emër dhe mbiemër është prezantuar si kryetar i këtij grupi paramilitar që fyejnë shqiptarët, Kotevski thotë se nuk mund të arrestojnë ose marrin në pyetje një person vetëm se bën pjesë në një organizatë, përderisa i njëjti nuk ka bërë vepër penale ose kriminale. Relativizimi i gjithë situatës nga ana e zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Brendshme vazhdon edhe në përmbajtjen e komunikatës, ku thuhet se MOS, për momentin vetëm dënon ngjarjet në Strugë dhe nuk do të ndërmerr asnjë aktivitet, ndërsa shprehin gatishmëri për ti shërbyer atdheut dhe shtetit nëse paraqitet nevoja. “Këtu nuk ka asgjë të keqe. Edhe MOS, edhe ne i dënuam incidentet në Strugë dhe nuk ka të keqe nëse janë të gatshëm ti ndihmojnë atdheut”, tha Kotevski. Për të rrezik nuk paraqesin as thirrjet publike në Facebook dhe rrjetet e ngjashme sociale, ku tanimë janë formuar grupe nga më të ndryshmet, ku thirret në organizim të protestave kundër shqiptarëve dhe myslimanëve, ndërsa në disa prej tyre, edhe në djegien e xhamive. “Të gjitha ata që ne i kemi zbuluar deri më tani, janë dokumentuar nga sektori për kriminalitet elektronik dhe i janë dërguar Facebook-ut dhe pritet që të njëjtat ti largojmë. Do të kontrollohet edhe identiteti i atyre që i krijojnë këto grupe dhe atyre që drejtpërdrejt përmes postimeve të tyre, përdorin gjuhën e urrejtjes dhe ngjallin mostolerancë ndëretnike. Ka edhe grupe nga ana tjetër, ku shqiptarët ofendojnë maqedonasit, por një problem paraqet identifikimi i atyre personave, sepse siç e dini - gjithkush mund të hap profil edhe në emrin tim dhe s’mund të thuhet që unë jam ai. Edhe këtu presim edhe ndihmën e qytetarëve që të denoncojnë në Facebook këto grupe dhe të kërkojnë të mbyllen”, tha Kotevski.