Derisa Didier Drogba udhėheq Bregun e Fildishtė nė Kupėn e Afrikės, nėna e tij, Clotilde, punon nė njė kuzhinė, ku gatuan ushqim pėr tifozėt e ekipit kombėtar. Asaj i pėlqen puna qė bėn dhe kėshtu thotė se i ndihmon shtetit. Sa ishte shtatzėnė me Didierin, ajo dėshironte qė ai tė bėhej futbollist, por kurrė nuk ka menduar se biri do t’i shndėrrohej nė yll tė kalibrit botėror.
Nëna e Didier Drogbas e filloi javën duke përgatitur ushqim tradicional të Afrikës Perëndimore për një grup prej 60 tifozësh, që udhëtuan për të përcjellë Bregun e Fildishtë në Kupën e Afrikës.
Clotilde Drogba punon në një kuzhinë të një stadiumi në periferi të Malabos, duke gatuar kryesisht peshk me oriz, shpatulla pule, patate dhe salcë pikante. “Secili ka punën e tij dhe gjërat që i pëlqejnë t’i bëjë”, tha Clotilde.
“Kjo është ajo që më pëlqen mua të bëj, t’u ndihmoj njerëzve. Do të përkrahja birin tim në çfarëdo profesioni, pa marr parasysh a është i famshëm ose jo. Kjo nuk është për birin tim, është përkrahje për shtetin tim”, shtoi ajo.
Clotilde ka përgatitur ushqim për tifozët edhe gjatë Kampionatit botëror 2006 në Gjermani. Favoriti i garës, Bregu i Fildishtë është kualifikuar në çerekfinale pas fitores 2-0 ndaj Angolës të hënën. Derisa biri i saj qëndron në një hotel luksoz jashtë qytetit, Clotilde ishte në kuzhinë duke përgatitur ushqim. Fillimisht Clotilde ishte e turpshme para intervistimit dhe theksoi se i nevojitet kohë për të pastruar duart dhe rrobat.
“Ndjenja më e mirë është kur keni përgatitur ushqim të mirë dhe njerëzit janë të kënaqur. Por, është edhe më mirë kur Didier shënon dhe ekipi fiton”, u shpreh ajo.
Clotilde ka thënë se përcolli dy fitoret e para të Bregut të Fildishtë në një monitor të stadiumit modest ku punon, por shtoi se shpreson të shohë Drogban dhe bashkëlojtarët e tij në gjysmëfinale në stadiumin në Bata. Por, fatkeqësisht, Drogba nuk do të mund të shijojë ushqimin e nënës.
“Ushqimi më i mirë është ai që e gatuan nëna, por Didier duhet të ushqehet në hotel, që është normale. Ai duhet të hajë me ekipin e tij, këto janë rregullat dhe i respektoj ato”, theksoi ajo.
Para se Drogba të bëhej yll në Francë, Clotilde tha se ajo ka marrë lëvdata për fizikun e fuqishëm të birit të saj. “Në Francë, ata thonë se duhet t’i ushqeni fëmijët me shumë supë dhe ata do të rriten dhe do të bëhen të fuqishëm”, vazhdoi Clotilde e cila befasohet se biri i saj u shndërrua në futbollist të kalibrit botëror.
“Isha tifoze e Franz Beckenbauerit kur isha shtatzënë me Didierin dhe doja që ai të bëhej futbollist i tillë i madh dhe Zoti ma realizoi dëshirën”, përfundoi ajo.
Tifozi i Bregut të Fildishtë, Euloge Ngbesso, i cili ishte ushqyer me gatimin e nënës së Drogbas, tha: “Ajo është grua e mirë. Ajo është sikur nënë për tifozët këtu. Ajo është shumë e hapur dhe njerëzit e respektojnë për veten e saj e jo vetëm sepse është nëna e Didier Drogbas”.