Shpėrthen "bomba" te Real Madrid
Humbja e radhës në “El Clasico” duket se ka ndryshuar radikalisht klimën në ambientin e Realit të Madridit. Pas polemikave me Pepen, me klubin që donte të ndëshkonte lojtarin, e Mourinho që i doli në mbrojtje, tashmë bomba e vërtetë shpërthen në seancën e fundit stërvitore të Los Blancos, me tensionin verbal mes Mourinhos, Casillas dhe Sergio Ramos, që plaset në faqe të parë nga “Marca”, e përditshmja sportive, tradicionalisht pranë Realit të Madridit.
Në faqen e “Marca” lexohet si më poshtë:
Mourinho (i drejtohet Ramos): Më vratë në zonën miks me gazetarët.
Ramos: Jo mister, ti ke lexuar vetëm ato që kanë shkruajtur gazetat, jo atë që ne kemi thënë në të vërtetë.
Mourinho: Normale, si spanjollë keni fituar Kupën e Botës dhe për këtë ju mbrojnë miqtë tuaj të shtypit…si në rastin e portierit (I referohet Casillas, që ishte 30 metra me tutje duke u stërvitur).
Casillas: (dëgjon dhe bërtet nga aty ku gjendej) Mister, këtu thuhen gjërat në fytyrë, ok?
Mourinho: Ku gjendeshe te goli i pare, Sergio?
Ramos: Po markoja Pique.
Mourinho: Por unë të kisha thënë të mbuloje Puyol?
Ramos: Po, por po bënim gabime ndaj vendosëm të ndryshonim markimet.
Mourinho: Tani keni filluar të bëheni dhe trajner?
Ramos: Jo, por varet nga situata e ndeshjes. Ndonjëherë në varësi të ndeshjes duhet të ndryshosh mbulimet. Por meqënëse ju nuk keni qënë kurrë futbollist, nuk keni si ta dini që në lojë e sipër këto gjëra ndodhin.
Deklarata të forta këto që jo vetëm kanë për protagonist dy senatorë të Realit të Madridit, por njëkohësisht nxirren në faqe të parë nga e përditshmja që gjithmonë ka mbrojtur politikat e Realit të Madridit dhe është pranë sferave drejtuese të Los Blancos. Vështirë të besohet se këto deklarata nuk kanë dalë me rekomandim nga brenda ambientit madrilène, si një paralajmërim për Mourinhon se nuk është më i paprekshëm, sidomos kur njollos emrin e klubit me deklarata polemizuese.
Tashmë ajo që pritet është reagimi i Mourinhos, që shpesh herë ka treguar se mund të dalë dhe ndaj vetë klubit ku ai punon për të mbrojtur interesat e tij. Por më parë, portugezi do të përpiqet të fitojë ndeshjen në fushë ndaj Bilbaos, që si për ironi të fatit drejtohet nga ai që jepet si pasuesi i Guardiolës te katalanasit, Marcelo Bielsa. Driton-Toni / TeLajmi.com