Administrata e Obamės do tė zvogėlojė forcat tokėsore pėr tė paguar strategjinė qė parasheh blerjen e mė shumė anijeve dhe avionėve, nė mėnyrė qė t'i kundėrvihet Kinės me teknologji
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, me shpalosjen e strategjisë së re ushtarake, ka bërë të njëjtin gabim që e kanë bërë gati të gjithë paraardhësit e tij që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Ai ka thënë: “Për më tepër, ne duhet të kujtojmë mësimet nga historia. Ne nuk mund ta përballojmë përsëritjen e gabimeve të së kaluarës, pas Luftës së Dytë Botërore, pas Vietnamit, kur ushtria jonë është lënë keq e përgatitur për të ardhmen. Si komandant suprem, unë nuk do të lejoj që kjo të ndodhë përsëri. Jo, nën mbikëqyrjen time”. Por, për fat të keq, plani i tij e bën pikërisht këtë. Ai nuk i kujton mësimet e historisë. Ja, dhe disa fakte për këtë: Heri Trumën, duke mos dashur të përsërisë koston e Luftës së Dytë Botërore, zvogëloi ushtrinë nga tetë milionë ushtarë në më pak se gjysmë milioni.
Pa ndërhyrjen e Kongresit, ai do ta eliminonte tërësisht Korpusin e Marinës. Rezultati ishte eliminimi i dy shërbimeve tokësore në Kore. Më pas vjen ish-presidenti Duajt Ajzenhauer me strategjinë “Vështrimi i Ri”, e cila kërkonte një tjetër reduktim të ushtrisë dhe marinës, për të lejuar krijimin e një force shërbyese bërthamore përreth Komandës Strategjike Ajrore. Së bashku me këtë vjen edhe Vietnami. Dhe në vitet 1970 ushtria profesionale e SHBA-së shpërbëhet dhe zëvendësohet nga një trup amatorësh. Rezultati ishte humbje, me 58 mijë të vrarë. Pas Vietnamit, administrata e Niksonit shkatërroi ushtrinë sërish. Në mesin e saj kishte varësi nga droga, vrasje në kazerma dhe mosdisiplinë kronike, e shkaktuar kryesisht nga një trup i dërrmuar oficerësh.
Pason shpërfillja e Xhimi Karterit që çoi në “ushtrinë e uritur”, që dështoi tmerrësisht në përpjekjet e saj për të shpëtuar pengjet amerikane në Iran. I vetmi përjashtim i kësaj historie të dështuar ishin vitet e Reganit, kur shërbimet tokësore morën fonde të mjaftueshme për të pajisur dhe trajnuar veten. Por, tragjedia ndodhi përsëri kur administrata e Klintonit reduktoi shërbimet tokësore, me qëllim mbështetjen te “transformimi”, një program ky që do të paguante më shumë për anije dhe avionë dhe do të reduktonte ushtrinë nga 16 divizione në 10. Në administratën e Xhorxh Bushit, Donald Ramsfeld ka vazhduar politikën e zëvendësimit të komponentëve njerëzorë me teknologji të informacionit. Sikur të mos ndodhnin sulmet e 11 Shtatorit, ushtria do të shpërbëhej në më pak se tetë divizione.
Prandaj, historia po rikthehet. Administrata e Obamës do të zvogëlojë forcat tokësore për të paguar diçka që quhet “Beteja Ajrore - Detare”, një strategji që parasheh blerjen e më shumë anijeve dhe avionëve, në mënyrë që t’i kundërvihet Kinës me teknologji në vend se me njerëz. Kjo strategji paraqet një shkallë të historicizmit që tejkalon çdo administratë të post-Luftës së Dytë Botërore. Pra, mjaftueshëm për të kujtuar mësimet e së kaluarës. Amerika tashmë ka mësuar se nuk mund t’i zgjedhë armiqtë e saj, por armiqtë e saj do ta zgjedhin atë. Dhe, siç kanë bërë gjithnjë në të kaluarën, do të kërkojnë të dominojnë në tokë, ajër dhe hapësirë...