Sė bashku me njė ekip tė kameramanėve tė kanalit ITN, gazetari i The Observer, Ed Vulliamy, ka zbuluar tė vėrtetėn e tmerrshme tė kampeve serbe tė pėrqendrimit nė Bosnje. Pėrderisa ish-udhėheqėsi i serbėve tė Bosnjės, Radovan Karaxhiē po gjykohet nė Hagė, Vulliamy ėshtė ftuar si dėshmitarė dhe e gjen vetėn nė pėrballje me njeriun, i cili akuzohet si ideator i gjenocidit.
Perdja e bardhë ngritët dhe ja ku është, në anën tjetër, vetëm disa metra larg, në dhomën e vogël për vizitorë në ndërtesën e Tribunalit në Hagë. Në anën tjetër përballë qëndron ulur Radovan Karaxhiçi, udhëheqësi i serbëve të Bosnjës gjatë luftës më të përgjakshme që përjetoi Evropa, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, e më pas njëri prej njerëzve më të kërkuar në botë që ishte në arrati-dhe tani duke u gjykuar në Hagë. Avokati i tij amerikan, Peter Robinson, qëndron ulur pranë tij.
Në tavolinën time qëndron ulur Ann Sutherland, prokurore e Tribunalit Ndërkombëtar për krime në ish-Jugosllavi, e cila të nesërmen para gjykatësve do të drejtonte dëshminë time kundër Karaxhiçit. Ishte kjo një intervistë e kërkuar nga Karaxhiçi, një ditë para se unë të jepja dëshminë time përpara gjykatësve. Për të qenë ironia më e madhe, kur u njoftova se mbrojtja kishte kërkuar një intervistë me mua, isha duke vozitur në një rrugë të pluhurosur malore në Bosnje, për të marrë pjesë në inaugurimin e një monumenti të vogël, të ngritur për të kujtuar një varrezë masive: një varrezë, në të cilin ishin hedhur dhe fshehur trupat e 124 meshkujve. Këta meshkuj kanë qenë të burgosur në kampet Omarska dhe Keratim, në veri-perëndim të Bosnjës. Ata ishin zhvendosur ditën që kisha arritur unë aty dhe kur zbuluam kampet, së bashku me pesë kameramanë të kanalit ITN, në gusht të vitit 1992, për t’u dërguar në vendin e quajtur Hrastova Glavica. Po sa kishin arritur aty, ata në grupe nga tre vetë ishin nxjerrë nga autobusët. Ju ishte dhënë cigarja e fundit, e më pas janë ekzekutuar një nga një dhe trupat e tyre u zbuluan 15 vite më vonë.
Isha në Hagë për të dëshmuar kundër njeriut, me autoritetin e të cilit vizitova kampet atë ditë: Karaxhiçit. Kisha pranuar që të intervistohesha nga ai. Natyrisht, kisha kërshëri, e isha edhe nervoz. Avokati i Karaxhiçit, Robinson, filloi procedurat duke thënë se Karaxhiçi ishte i lodhur pas ditës së kaluar në gjykatë, se ai do t’i bënte pyetjet në lidhje me takimin mes meje dhe Karaxhiçit, dy ditë para se të kaloja pragun e kampit në Omarska. U takova me Karaxhiçin më 3 gusht të vitit 1992, në Pale. Ai kishte një shtrëngim të butë dore për një njeri, për të cilin thuhej se ngjallte frikë. Karaxhiçi na siguroi se do ta shihnim Omarsken. Folëm edhe për kampet e boshnjakëve dhe kroatëve, në të cilët mbaheshin serbët. Biseduam edhe për historinë serbe dhe për betejën e gjatë të popullit serb. Më pas, nën përcjelljen e shefit të policisë së Prijedorit dhe komandantit të kampit, Zhelko Mejakiçit, ne hymë në Omarskë, ku pamë skena të tmerrshme dhe të burgosur në gjendje të mjerë.
“Nuk dëshiroj të flas gënjeshtra, por nuk mund ta them as të vërtetën. Falëminderit që erdhët”, na një mashkull, i quajtur Dzemal Parasutic.
Na u mohua qasja në pjesët tjera të kampit, përkundër garancive të Karaxhiçit, ngase, siç na shpjegoi nikoqiri ynë:”Ne kemi urdhrat tona. Mund të bëni këtë dhe atë, por jo edhe këtë”. Na nxorën nga Omarka dhe na dërguan në kampin Tërnopolje, ku gjetëm të burgosur asht e lëkurë, të cilët atë mëngjes ishin sjellë aty nga kampi tjetër, ai i Keratermit. Aty, thanë ata, ka ndodhur një masakër e tmerrshme gjatë natës, me ç’rast ishin vrarë 150 të burgosur. Një nga të burgosurit, Fikret Aliç, tha se ishte caktuar që të ngarkonte kufomat në kamionë, por shtoi se nuk kishte qenë në gjendje ta bënte këtë. U larguam pa parë sa duhet, por aq sa duhet për të kuptuar se një tmerr me dimensione të paparamendueshme po ndodhte në rrethinat e Prijedorit. Lufta përfundoi tri vjet më vonë, me nënshkrimin e marrëveshjes së Daytonit. Në vitin 1995, Karaxhiçi u padit për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Me kalimin e kohës, në sipërfaqe doli edhe e vërteta e tmerrshme për kampet. U zbuluan varrezat masive dhe dëshmitë para Tribunalit zbuluan fshehtësitë e Omarskës dhe Tërnopoljes: vrasje masive dhe torture, rrahje, dhunime. Për 13 vjet me radhë, Karaxhiç u mbrojt nga bashkëpunëtorët e tij në Serbi dhe në Bosnje. Ai u arrestua në verën e vitit 2008 në Beograd, ku i fshehur prapa mjekrres dhe flokëve të gjatë, kishte punuar si mjek alternativ. Por tani qëndroi ulur përpara tij, para njeriut të akuzuar për gjenocid, përndjekje, vrasje, dëbime, sulme të paligjshme kundër civilëve. Thënë shkurt, ai është njëri prej vrasësve më të mëdhenj masiv në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të. Karaxhiçi ngritet në këmbë dhe pyet:”A e keni pasur përshtypjen se kam qenë i hapur gjatë luftës”? Atë ditë të caktuar, po me siguri. Por pas zbulimit të kampeve, nuk më ishte dhënë leja që të udhëtoja në atë territor.
Pyetjet e tij të para kishin të bënin me vetë kampin Omarska. A e keni ditur se ka qenë qendër e përkohshme hetimore për luftëtarët e dyshuar myslimanë? Po, kam njohuri për këtë qëndrim. A kam vizituar kampet, ne të cilat janë mbajtur të burgosurit serbë? Po, i kam vizituar. Pas një ore, intervista arriti klimaksin. Karaxhiç theksoi se unë kisha fabrikuar raportin tonë për kampin në Tërnopolje dhe se pamjet e të burgosurve prapa telave gjemborë ishin pamje të refugjatëve, të cilët kanë qenë të lirë të largohen.
Ju përgjigja se isha i bindur atëherë dhe se jam i bindur edhe sot se meshkujt në pamje ishin të burgosur, të cilët kishin arritur nga Omarska dhe Keratermi dhe se kampet ishin të vërteta. Nuk fjeta fare natën para paraqitjes time si dëshmitarë para gjykatësve.
Ann Sutherland flet për detajet e takimit tim me Karaxhiçin, fjalim ky i shoqëruar me pamjet e xhiruara në Omarska. Karaxhiç fillon të më marrë në pyetje:”A mendoni se keni arritur të ruani objektivitetin”. Më pas ai vazhdoi me pyetje politike, për situatën atëbotë në Bosnje dhe gjëra të tilla. Ai vazhdon të citojë disa shkrime dhe raporte të mia në lidhje me kampet dhe zëri i tij fillon të bëhet më i vrazhdë dhe më i agresiv.
Karaxhiç sërish flet për atë se unë dhe ekipi i ITN-së disi kemi manipuluar raportin për kampin në Tërnopolje. Më pas, ai flet për xhirimin e famshëm të Fikret Alicin të bërë asht e lëkurë, duke më pyetur:”Si e dini ju se ai nuk duket kështu normalisht?”. E di se nuk duket kështu, ngase e kam takuar më vonë në Slloveni dhe atëherë dukej normalisht, ju përgjigja unë. Karaxhiçi vë në dyshim edhe përdorimin e termit “vrasje masive” nga ana ime. Ai më tutje insistoi se përshkrimi im për gjendjen e tmerrshme në Omarska ishte bërë, vetëm pasi që presidenti amerikan, George Bushi, u shpreh i tmerruar në lidhje me këtë zbulim. Një javë më vonë, përcolla përballjen e një dëshmitari tjetër me Karaxhiçin-një mjek, të cilin e kam takuar ditën kur kemi hyrë në Tërnopolje. Idriz Merdzanic kishte bërë të gjitha përpjekjet e mundshme, për të drejtuar një “qendër mjekësore” në kamp, duke trajtuar të burgosurit e rrahur dhe vajzat e dhunuara.
Për librin që jam duke e shkruar vizitova këtë verë Merdzanicin, në shtëpinë e tij në Kiel, Gjermani. “Të gjithë ata, të cilët kanë qenë në Tërnopolje, kanë pasur kontakt me ferrin”, më thotë Merdzaniç.