Kryeministri Sali Berisha i ėshtė drejtuar me tone tejet tė ashpra pėrfaqėsuesit tė Aleancės Kuq e Zi Kreshnik Spahiu.
Kryeministri Sali Berisha i është drejtuar me tone tejet të ashpra përfaqësuesit të “Aleancës Kuq e Zi” Kreshnik Spahiu. Duke folur për të dhe për kreun e shtetit gjate intervistes se tij ne “Ora News” ai tha se “ajo parti e provoi veten në regjistrim. Partia faqezi ajo është partia që nuk mori as 1 përqind. Janë të mirëpritura edhe 60 parti të tjera por brenda rregullave. Kur individë të caktuar uzurpojnë institucionet kushtetuese pse nuk japin dorëheqjen. Institucioni i Presidentit dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë dua të them. Njeriu i qytetëruar dhe që ka nocionin më elementar të shtetit dhe ligjit nuk mund ti lejojë vetës që nga kreu i KLD-së të kthehet në partiçkë të vogël të sharlatanëve që morën përgjigjen më shembullore me censusin e këtij vendi”. I pyetur për situatën aktuale të sistemit të drejtësisë kryeministri theksoi se ato para së gjithash dhe mbi të gjitha janë të qeverisë së drejtësisë, pra të KLD-së.
Duke komentuar për marrëdhënien me Presidentin Bamir Topi kryeministri tha se “nuk mund të pranohet në krye të presidencës një partiçkë. Në një republikë parlamentare presidenti drejton presidencën si një simbol. Çdo qëndrim armiqësor ndaj mazhorancës të nxjerr jashtë Kushtetutës. Mazhoranca merr votat për të qeverisur dhe përpjekjet për pyka janë antiligjore. Mora vesh që ju tha edhe ju në takimin e fundit që sdo takohemi më e u përmallua shumë”. Më tutje ai u ndal tek debati mbi ndryshimet kushtetuese duke thënë se ato u bënë me një konsensus të plotë të partive kryesore. “Nëse zoti Topi se gjente veten në këtë konsensus të dy partive kryesore ai kishte të drejtën të bënte përpjekje për referendum duke e bllokuar këtë proces por në rrafshin personal nëse flet mazhoranca Kushtetuese askush nuk ka dhe nuk mund të ketë një zë të veçantë”, theksoi kryeministri.
Ndërsa u pyet për faktin se pse është izoluar kreu i shtetit në takimet me qytetarët duke mos organizuar pritje nga njësitë vendore të drejtuara prej demokratëve, Berisha tha se “atë e kanë pritur përfaqësues të Partisë Socialiste shumë më mirë se sa Mimi Kodhelin. E kanë pritur sikur të ishte nënkryetar i Partisë Socialiste. E panë që votoi për kryetarin e tyre dhe ne nuk i kemi bërë asnjë pengesë. Ai pritet kudo nga përfaqësuesit socialistë. Kudo e ka gjetur të shtruar nga qeveritarët socialistë”.
Më tutje shefi i mazhorancës u ndal tek regjistrimi i popullsisë duke thënë se “Presidenti heshti si fija e barit dhe nuk e ka shqiptuar deri më sot fjalën census pasi zëvendësi i tij dilte e thoshte se është një akt i organizuar nga serbët dhe grekët. Ai ishte censusi më i mirë që është kryer në historinë e këtij vendi. Ky census thotë se janë 330 mijë familje shqiptare që kanë më shumë se një banesë. Pra ky census ju thotë shqiptarëve se në Shqipëri është krijuar klasa e mesme dhe ka një klasë të mesme e cila në vitin 2001 ishte fillestare”.
Kryeministri tha se në festën e Flamurit dhe të Çlirimit ka patur kontaktin e fundit me Presidentin Bamir Topi. Ndërsa u ndal tek çështja e Presidentit të ri, Berisha u shpreh se do të jetë një zgjedhje Kushtetuese. “Një zgjedhje në përputhje të plotë me Kushtetutën e këtij vendi. Kjo nuk ka asnjë mëdyshje. Në çdo kohë unë kam dhe do të kem si udhërrëfyes kryesor Kushtetutën. Politika është dallim. Ata që përpiqen ta paraqesin si konsensus ata thonë një mashtrim të madh nëse e konceptojnë konsensus total. Politika është dallim dhe lavdi zotit që është e tillë. Në momente të caktuara bie në kompromis por politika nuk është konsensus”, u shpreh Berisha.
I pyetur për një President konsensual, Berisha tha se nëse Edi Rama dhe PS do të votojnë kandidatin e propozuar nga mazhoranca do të vlerësohen por edhe nëse nuk e bëjnë kreu i ri i shtetit do të jetë i zgjedhur nga mazhoranca me votat e saj.
Kryeministri komentoi kërkesën e disa partive të vogla për ndryshimin e Kodit Zgjedhor sa i takon listave të hapura për kandidatët për deputetë. “Ato janë lista që i japin hapësirë parave. Listat duhet të hartohen me frymë demokratike dhe përzgjedhëse por jo të hapura. Ai që është më i mundshëm do i jepet mundësia që të fortit dhe parelitë të kenë atë hapësirë që nuk duhet ta kenë as me forcë e as me para”, tha ai. Ndërkaq kërkesa për numërimin elektronik të votave u cilësua si një dështim në tentativën e parë të bërë për numërimin e votave të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste ndaj kryeministri e shikonte me pesimizëm.