Blerim Destani i tėrheq femrat dhe mediat si me magnet
Është i pashëm, i suksesshëm në punën që bën, me status të konsoliduar financiar, e jeton jetën me 300 km/h, duke gëzuar kështu atributet e të qenit VIP, si ata në Hollywood natyrisht. Me cilëndo femër nga show-biznesi që është parë në ambiente publike, është aluduar se ka pasur lidhje, duke nisur që nga Albana Osmani, Tuna, Angela Martini etj. “Nuk më bëjnë fare përshtypje thashethemet. Nëse gjykohet sipas thashethemeve, del se unë deri tani duhet të kisha qenë nja dhjetë herë i fejuar, nja gjashtë herë i martuar e kështu me radhë...”, - thotë Destani për “standard”, i cili do të vijë sërish para ekranit të madh me variantin e zgjeruar (integral) të filmit “Dossier K” që do të shfaqet në tre vazhdime, fillimisht në Belgjikë e më pas edhe në televizionet evropiane. “Berlin project”, një film tjetër ku ai luan, do të prezantohet së shpejti. Dimrin do ta kalojë në Los Angeles, ku projekte ambicioze e presin, por për momentin nuk dëshiron të zbulojë asgjë, as me kë do bashkëpunojë, as roli dhe mbi filmin.
Blerim, përshëndetje! Si po ia kalon këtë dimër?
Vjeshtën dhe dimrin zakonisht i përjetoj si stinë ku më së shumti njeriu reflekton për vitin që po kalon dhe përgatitje për vitin që do të vijë pas dimrit. Në përgjithësi, ia kaloj duke reflektuar për këto gjëra, natyrisht për mirë. Momentalisht jam në përgatitje për projektet e ardhshme.
Dimë që pritet të dalë pjesa e dytë e “Dossier K”, si dhe “90 minutes” apo jo?
Nuk është fjala për pjesën e dytë të "Dossier K" por për variantin e zgjeruar (integral) të filmit që do të shfaqet në tre vazhdime, fillimisht në Belgjikë e më pas edhe në televizionet evropiane. Në këtë variant të zgjeruar, roli im (Nazim Tahiri) ka hapësirë më të madhe, pasi do të shfaqet dimensioni shtesë, ai i dashurisë mes Nazimit dhe Naomit. Në këtë variant personazhi i Nazimit është më i plotë, pasi drama e dashurisë së parealizuar mes Nazimit dhe Naomit është ajo që e ngjyros me melankoli personazhin e Nazimit. Ndërsa sa i përket filmit "Berlin project" prezantimi i filmit do të bëhet shumë shpejt.
Këtë verë keni qenë i angazhuar edhe me turin e Eliza Dushkut në Shqipëri. Kur e gjeni kohën për të pushuar, apo ju pëlqen më së shumti dimri?
Çdo stinë ka bukurinë e vet, kuptohet nëse njeriu gjen kohën e duhur për të pushuar. Mua për shkak të angazhimeve m'u desh që në njëfarë mënyre "të vjedh" fare pak kohë për të pushuar. Kështu siç janë planet aktuale, duket se dimrin do ta kaloj në Los Angeles pasi do qëndroj një kohë të gjatë atje për shkak të projekteve të ardhshme, për të cilat do dëgjoni shumë shpejt.
Keni hedhur së fundmi në Facebook disa foto me veshje dimërore, falë së cilave ju kanë komentuar si një “fashion ikon”. Në fakt, ju i përzgjidhni sipas shijeve tuaja veshjet apo ndikoheni nga tendencat e modës?
Kuptohet që jam në hap me kohën për sa u përket tendencave të modës, por unë ndjek një parim personal që do të thotë se zgjedh gjërat që më bëjnë të ndjehem më rehat. Përherë e ndjek atë ndjenjë brenda meje dhe kur ajo përputhet me tendencat e modës, rezultati është i menjëhershëm.
Blerim, dimë që i keni fiksim automjetet luksoze dhe shpejtësinë. Me siguri nuk ju kanë shpëtuar dy lajmet tragjike për humbjen e jetës së Wheldon dhe Simoncellt. Nuk trembeni ndonjëherë pra nga shpejtësia, apo adrenalina ju rrëmben?
Ngjarjet tragjike për humbjen e dy sportistëve të dalluar e tronditën opinionin në mbarë botën dhe unë i kam përjetuar me shumë dhimbje. Kur ndodhin gjëra të tilla të bëjnë që të reflektosh për gjithçka, por unë jam njeri që gjithçka dua të shijoj me masë të caktuar, pra edhe adrenalina në masë të caktuar nuk të bën që të tejkalosh disa limite.
Mediat shpesh ju kanë cilësuar si një “playboy”, që i kushtohet shumë qejfeve të jetës. Si e konsideron këtë cilësim?
E kam thënë disa herë, unë e pëlqej jetën dhe dua ta shijoj maksimalisht dhe kjo ka të bëj vetëm me atë sesi ndjehem unë. Ata që këtë e perceptojnë ashtu siç thoni ju, është mendim i tyre. Unë jam gjatë gjithë kohës i angazhuar me projektet e mia dhe momentet e kohës së lirë mundohem t'i shijoj.
Ju bëjnë shumë përshtypje thashethemet rozë, pasi në një hark të shkurtër kohor ju kanë “lidhur” me Albana Osmanin, Anxhela Martinin, Tunën etj?
Nuk më bëjnë fare përshtypje thashethemet. Nëse gjykohet sipas thashethemeve, del se unë deri tani duhet të kisha qenë nja dhjetë herë i fejuar, nja gjashtë herë i martuar e kështu me radhë...
Në fakt, kohët e fundit shtypi rozë ka “zier” nga aludimet për ju dhe këngëtaren tetovare Altuna Sejdiu - Tuna. Mediat kosovare madje kanë raportuar se ju të dy jeni kapur duke dalë nga një hotel...
Parimi im është që mos t'i komentoj thashethemet e shtypit rozë. Tuna është vetëm një nga mikeshat e mia.
Përtej të gjitha thashethemeve, a është dikush në jetën e Blerimit? E keni takuar deri më tani atë “dashurinë e madhe” apo jeni ende në pritje?
"Pritje"?! Njeriu gjatë gjithë jetës pret që t'i ndodhë diçka, diçka që ende nuk i ka ndodhur dhe kjo është një motivim për të ecur përpara në jetë. Kur thoni "pritje" unë nuk pres në një vend ashtu siç pritet avioni, autobusi apo treni, unë nuk pres në një vend, unë jam vazhdimisht në lëvizje. Dhe... ndoshta unë do të arrij diku (në ndonjë vend) ku dikush më ka pritur dhe më pret mua. Ndoshta... nëse një "pritje" e tillë më ndodh në jetë, do të jetë ajo që zakonisht quhet ndodhia e jetës.
Së fundmi, si po shkojnë bizneset tuaja, firma e xhinseve “Red & Black”?
Ajo është pjesë paralele e jetës sime dhe po vazhdon me shumë sukses. Jam i kënaqur për prezantimet dhe depërtimin në tregun ndërkombëtar.