BDI po i zgjatė dorėn politikės sė Nikolla Gruevskit e cila po e mban Maqedoninė tė izoluar dhe jashtė NATO-sė dhe BE-sė.
Kështu u shpreh nënkryetar i Këshillit Euro-Atlantik, Ismet Ramadani duke komentuar kërkesën e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti se Maqedonia në samitin e radhës të NATO-së në Çikago duhet të kërkojë anëtarësimin me referencën IRJM. Në linjë të njëjtë është edhe analisti politik, Petar Arsovski i cili tha se BDI nuk po ia zgjatë dorën Gruevskit por po pranon me vet-dëshirë politikën e tij.
“Nuk ka logjikë të afirmohet një politikë e cila në asnjë mënyrë nuk do të lejojë ose nuk do të mundësojë që Maqedonia të anëtarësohet në NATO dhe BE prandaj duhet pasur kujdes, përkundrazi duhet të bëhet presion që sa më shpejtë të pajtohet udhëheqësia e këtij shteti me një kompromisë për të zgjidhur këtë problem rreth emrit dhe definitivisht të hapet rruga për integrimet euro-atlantike, respektivisht për anëtarësim për në NATO dhe BE. Zonja Teuta Arifi nuk duhet të bie pre e kësaj mënyre të gjykimit rreth anëtarësimit ose integrimit të Maqedonisë në këto struktura euro-atlantike”, deklaroi Ismet Ramadani – Nënkryetar i Këshillit Euro-Atlantik.
“Unë më tepër do të thoja se partneri shqiptarë në qeveri me vetë-iniciativë po e zgjatë dorën. Mendojë se BDI në Qeveri me partnerin maqedonas kanë platforma diametralisht të kundërta. Më në fund ajo po e merr rolin e saj që edhe i takon që në mënyrë aktive të promovojë integrimet në NATO dhe BE e të cilat janë pjesë përbërëse e platformës së saj e për të cilën partneri maqedonas nuk ka vullnet të mirë dhe këtë po e shohim në shumë aspekte, po shohim se faktori politik shqiptarë po i bënë të gjitha punët që duhet realisht partia maqedonase në pushtet ti bëjë”, u shpreh Petar Arsovski, analist politik.
Arsovski thotë se pas vendimit të GJND-së është mirë që të ketë një pozicion të qartë sic është edhe ai për marrëveshjen e përkohshme dhe të shihet rezultati i saj. Por Ramadani thotë se Maqedonia e ka patjetër të zgjidh çështjen e emrit pasi jo vetëm Greqia por i gjithë komuniteti evropian nuk do të lejojnë që një vend kandidat për anëtarësim në BE, të antarësohet me probleme të pazgjidhura me fqinjët e saj.
“Greqia në asnjë mënyrë nuk do të lejojë që Maqedonia të dalë fitimtare në këto negociata duke u nisur nga vendimi i GJND-së se është shkelur marrëveshja e përkohshme. NATO dhe BE por edhe bashkësia ndërkombëtare duan të çlirohen nga ky problem. Ata në asnjë mënyrë nuk do të dëshironin që në familjen e tyre, respektivisht në NATO dhe BE të kenë shtet problematik”, u shpreh Ismet Ramadani, Nënkryetar i Këshillit Euro-Atlantik
Përveç Ahmetit edhe zv/ kryeministrja për çështje evropiane, Teuta Arifi kërkoi anëtarësimin e Maqedonisë në NATO me referencën IRJM dhe për këtë synim ajo kërkoi edhe ndihmë nga Uashingtonit. Gjegjësisht Arifi këtë kërkesë ia parashtroi zyrtarëve të lartë amerikan përfshirë sekretaren shtetërore Hillary Clinton, gjatë vizitës së saj zyrtare në Uashington dhe Nju Jork.