Ta pranishėm nga Berisha, Thaēi, Nano e Meta te politikanė tė majtė e tė djathtė.
Tanimė qė libri ka thyer njė rekord shitjesh dhe ka shkuar nė mijėra shtėpi shqiptarėsh, ia vlen tė bėsh njė festė…
Dje, në sallën e ekspozitave të Galerisë Kombëtare të Arteve, gazetari Blendi Fevziu organizoi promovimin e librit “Enver Hoxha”, autobiografia e ish-diktatorit komunist. Ndërsa të ftuarit e shumtë pinë një gotë shampanjë për suksesin e librit, nga muret e sallës së ekspozitave nxirrnin kokën fshatarë, ushtarë, punonjës furrnaltash… Ishin personazhet e një serie pikturash të krijuara gjatë periudhës së realizmit socialist, të cilat u ekspozuan enkas për këtë rast… Si për të treguar vizualisht deformimin e natyrës njerëzore të imponuar nga diktatori. Në këtë promovim, që jo pa të drejtë botuesi Henri Çili e quajti një ngjarje jo të zakontë, merrnin pjesë disa prej figurave më të larta të shtetit shqiptar e kosovar, përfshirë tetë kryeministra e ish-kryeministra. Krahas Kryeministrit Sali Berisha dhe atij kosovar, Hashim Thaçi ishin të pranishëm edhe ish-kryeministrat Fatos Nano, Bashkim Fino, Pandeli Majko, Ylli Bufi, Ilir Meta dhe Bujar Bukoshi. Kryeministri Thaçi, i cili erdhi dje në ceremoni pas takimit me Merkel në Prishtinë shoqërohej nga 6 ministra të kabinetit të tij. I pranishëm ishte edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, pothuajse i gjithë kabineti qeveritar me ministrat Imami, Olldashi, Bumçi, Haxhinasto etj, politikanë të majtë e të djathtë si Astrit Patozi, Kastriot Islami, Namik Dokle, Valentina Leskaj, Arta Dade, Arben Malaj, Blendi Klosi, Erjon Veliaj, Petro Koçi, Paskal Milo etj. Por edhe përfaqësues të trupave diplomatike në Tiranë, si ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu. E padyshim kolegë e miq artistë, mes të cilëve edhe sopranoja Inva Mula e Hetem Ramadani. Ra në sy mungesa e kreut të opozitës, Edi Rama dhe e presidentit Bamir Topi. Megjithatë, edhe aq sa ishin të pranishëm, mjaftonin që shumëkush të pëshpëriste se Fevziu i mbledh të gjithë bashkë…
Libri best seller
Pas një katërminutshi filmik, ku u projektuan momente nga jeta e diktatorit, faksimile ditarësh, apo dëshmitarë të kohës, Blendi Fevziu u ndal të falënderonte së pari të gjithë ata që e ndihmuan në realizimin e kësaj autobiografie, që për nga përmasat e personazhit, të cilit i dedikohej dhe dokumentacionit që ekziston mbi të, mund të quhej pa dyshim një sfidë. E më tej, ndau me miqtë e ftuar ndjesitë që kishte provuar gjatë ndërtimit të këtij libri, çka nuk e kishte bërë në të gjitha takimet e promovimet e autobiografisë. “”Jetojmë në një mjedis të ndotur moralisht. E ndotëm moralin duke thënë diçka të ndryshme nga ajo që mendonim. Mësuam të mos i besonim asgjëje, të shpërfillnim njëri-tjetrin, të kujdeseshim vetëm për veten tonë. Koncepte të tilla si dashuria, miqësia, dhembshuria, përulësia apo falja e humbën thellësinë dhe dimensionin e tyre”. Kjo pjesë e fjalimit të famshëm të Vaclav Havelit ditën që ai u bë President i Çekosllovakisë, vetëm 4 muaj pasi qe arrestuar për herë të fundit nga autoritetet komuniste ishte gjëja që më vinte në mend më së shumti, kur zhytesha mes dokumenteve dhe shënimeve që lideri komunist, Enver Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij, kishin lënë me shumicë në arkivat e Komiteti Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë. Një botë e frikshme, ku krimi, vrasja, mosbesimi, burracakëria dhe mungesa e çdo skrupulli dhe virtyti njerëzor bëhej thuajse therëse. Ndërsa shkruaja librin, thellë-thellë më dukej sikur po i hyja në hak shoqërisë së sotme, po ngjallja një kohë që e kishim lënë pas, me një urim të vetëm: Dashtë Zoti, nuk vjen më kurrë! Në asnjë lloj forme dhe emri. Pak nga pak, pata frikë se ai libër po më fuste në një tunel, ku do të ecja i vetëm, ku nuk do të më ndiqte askush. Ku do të më linin të vetëm në perversitetin e një regjimi që e kisha urryer dhe kisha uruar për shumë kohë të harrohej përgjithmonë”, u shpreh Fevziu. Por vetëm fare pak ditë pasi libri doli në treg, frika e tij do të davaritej dhe vepra e tij do të kthehej në një best seller. “Kur planifikuam me Blendi Fevziun botimin e librit, bëmë llogari të gabuara. Llogari të gabuara në lidhje me autorin, në lidhje me subjektin, por sidomos në lidhje me dëshirën e shqiptarëve për të mësuar historinë e tyre, për të lexuar mbi atë çfarë ka ndodhur në një nga periudhat më të egra të historisë së tyre. Pasojat e kësaj llogarie të gabuar, shtëpia botuese e Universitetit Europian të Tiranës ka hedhur në qarkullim brenda tetë javëve rreth 40 mijë kopje, nga të cilat janë shitur 32 mijë kopje”, u shpreh botuesi i librit, Henri Çili.
Libri i të gjithëve
Teksa gjatë këtyre ditëve është përpjekur të gjejë çelësin e suksesit të këtij libri, ka kuptuar se pse aty e gjejnë veten të gjithë. “Ata që nuk e kanë dashur atë regjim, që e kontestuan dhe u përpoqën të mbijetojnë pa u bërë pjesë e tij, gjejnë vërtetimin dokumentar të drejtësisë së mendimeve të tyre. Ata komunistë që u përndoqën dhe përfunduan në burgje më të gjata se sa ajo që e quanin klasë e përmbysur, gjejnë shpjegimin për dramën e tyre që iu erdhi papritur dhe në besnikëri të plotë ndaj liderit. Tek ky libër gjejnë veten edhe ata të rinj brilantë që regjimi nuk iu jepte të drejta studimi, sepse kishin biografinë e keqe!”, tha Fevziu. Po aty gjetën veten edhe kosovarët, edhe diaspora, edhe studentët, edhe intelektualët, apo komunistët e vërtetë e të varfër… “Unë nuk jam historian, as studiues. Jam një gazetar që ndihet mirë në profesionin e tij. Por unë mendoj se sot ne s’duhet të humbasim kohë me debate shterpë. Do ishte më mirë të bënim më shumë kërkime, të hapnim më thellë arkivat, të analizonim më shumë atë që ka ndodhur. Të përpiqeshim të kuptonim mekanizmin që vuri në punë dhe e ktheu në një mostër Enver Hoxhën. Sepse ai nuk ishte pjellë e vetvetes, por e sistemit. Ai s’ishte as më i mirë, por as më i keq se shumë prej bashkëpunëtorëve të tij. Ai ishte njeriu që pati talentin të imponohej, dhe duke aplikuar një sistem kriminal dhe në mungesë të plotë lirie, e çoi vendin në pragun e një katastrofe”, tha Fevizu. “Europa Lindore filloi ndërtimin sistemeve të lira, duke njohur dhe analizuar së pari atë që kishte ndodhur, shprehet Urs Altermat! Ne nuk e bëmë këtë, nuk e kemi bërë ende. Vërtitemi mes tundimit për të hyrë thellë në atë regjim dhe frikës se çfarë mund të gjejmë aty. Dënojmë Hoxhën, por kemi frikë të shohim drejt dhe siç duhet mekanizmin që ndërtoi ai për të shuar çdo ndjesi lirie. Ndruajmë të përballemi me të vërtetën dhe kjo është papjekuria më e madhe e kësaj shoqërie, ajo që po na lë pas vendeve të tjera, që tashmë po ecin drejt kohëve moderne, pa asnjë barrë të së shkuarës mbi shpinë”, tha gazetari, që e mbylli fjalën e tij, po me një citat të ish-presidentit çek, Havel, që u nda nga jeta vetëm pak ditë më parë.
Berisha: Libri, një dokument që s’mund të përgënjeshtrohet
Kryeministri i Kosovës, Thaçi, ambasadori Arvizu dhe Kryeministri Berisha, në promovimin e librit të Fevziut
Në promovimin e librit të gazetarit Blendi Fevziu ishte i pranishëm edhe Kryeministri Berisha, i cili nuk mund të mos shprehte mendimin e tij në lidhje me autobiografinë e ish-diktatorit. I pyetur nga mediat, ai do të shprehej se: “Mendimi i parë që më ka ardhur në mendje është: një vepër e shkëlqyer, më e mira e këtij zhanri që unë kam lexuar. Dhe kjo, së pari, për temën që trajton, e cila është tema më madhore e së shkuarës sonë 43-vjeçare, para rënies së diktaturës. Së dyti, libri ka një vërtetësi ekzemplare. Gjer më sot, mbështetësit e Enver Hoxhës nuk kanë qenë në gjendje të përgënjeshtrojnë qoftë një fakt të vetëm të librit. Së treti, libri u fakton shqiptarëve se njeriu që qeverisi Shqipërinë 43 vjet ishte ndofta diktatori më mizor. Unë kam lexuar libra për diktatorë të tjerë, por gjer më sot nuk kam gjetur që ata vetë, me firmë, të urdhëronin ekzekutime pa gjyq, për persona të caktuar, siç gjenden këto në librin ‘Enver Hoxha’. Libri është shkruar me stil e lexohet me kënaqësi të madhe”, tha Berisha, duke e quajtur këtë libër një dokument të një rëndësie të jashtëzakonshme për të rinjtë shqiptarë, të cilët nuk e kanë njohur atë sistem, apo për shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, e për ata qindra e dhjetëra mijëra shqiptarë që u burgosën, torturuan dhe u ekzekutuan, duke pasur për idhull udhëheqësin e Shqipërisë. “Ata janë heronj të vërtetë, kanë qenë patriotë të mëdhenj, të cilët njohën shtypjen më të egër, por qëndruan të pamposhtur ndaj nacionalizimit serb. Ata nuk mund të imagjinonin se njeriu për të cilin bënin burgun, për të cilin këndonin e ngrinin dolli ishte një nga armiqtë e egër të Kosovës… Kosova nuk ishte asgjë tjetër, veçse një plaçkë tregu me Josip Broz Titon”, tha ai.