Partitė opozitare maqedonase kanė kėrkuar qė regjistrimi i ardhshėm i popullsisė nė Maqedoni tė mbahet prej 1 – 15 prill tė vitit 2012.
Ky propozim ka mbërritur me kërkesën e partive opozitare Lidhja Social Demokrate dhe aleatët e saj PRSD, Partia Liberale, Partia për Ardhmëri Evropiane (PEI), të cilat bashkërisht kanë dorëzuar Propozim-Ligjin për regjistrimin e popullsisë dhe amvisërive.
Deputetja e LSDM-së, Ana Pavlovska – Daneva theksoi se në rast se Qeveria pranon regjistrim në pranverë, ajo atëherë do të hedhë poshtë të gjitha spekulimet se ka pasur falsifikim në regjistrimin e dështuar të muajit tetor.
Në rast se nuk pranohet propozimi i opozitës, ajo theksoi se atëherë del në sipërfaqe vlerësimi se rreth regjistrimit nuk ka probleme teknike por mosmarrëveshje midis koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI.
VMRO-DPMNE theksoi se ky hap i opozitës është i panevojshëm dhe i dëmshëm dhe që mund të shkaktojë pasoja politike ndaj sfidave shtetërore dhe kombëtare të vendit.
Kjo çështje dje pasdite ka qenë në rend dite në Parlamentin e Maqedonisë duke nxitur debate të ashpra midis pozitës dhe opozitës, pa përfshirjen e partive shqiptare. Kryetari i Parlamentit Trajko Veljanovski ndërpreu seancën, duke e shtyer për javën tjetër. Ndërkohë, partitë opozitare shqiptare kërkojnë mbajtjen e regjistrimit, mirëpo duke përcaktuar që data e mbajtjes të jetë muaji korrik i vitit 2012, me qëllim që në vend të përfshihen edhe qytetarët shqiptarë që përkohësisht punojnë dhe jetojnë jashtë vendit.