Kryetarja e Kuvendit, me sipėrmarrėsit e Forumit tė dytė tė Investitorėve tė Detit tė Zi
Forumi i Dytë i Investitorëve të Detit të Zi, i cili mbodhi në Tiranë rreth 400 sipërmarrës të vendeve anëtare të Detit të zi, të Turqisë dhe Shqipërisë, u konkretizua me dhjetëra marrëveshje tregtare mes investitorësh.
U takuan së bashku në Tiranë përfaqësues nga rreth 70 kompani turke, 50 kompani të rajonit dhe 100 investitorë shqiptarë.
U organizuan rreth 70 tryeza bisedimesh mes sipërmarrësve të kompanive të rajonit të Detit të Zi, të Turqisë dhe Shqipërisë.
U zhvilluan mbi 500 takime dypalëshe mes investitorësh në fusha të veçanta si infrastrukturë, agrobiznes, energji, turizëm, industri ushqimore etj.
Pas një dite intensive pune, sipërmarrësit u pritën në Pallatin Mbretëror nga Jozefina Topalli, e cila e vlerësoi këtë Forum partneriteti mes politikës dhe biznesit, si një urë të jashtëzakonshme njohje, informacioni, ndërveprimi, dhe bashkëpunimi që do japë së shpejti produkte konkrete.
Gjatë punimeve të Forumit, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli si mikpritëse e tij, theksoi se platforma e partneritetit mes legjislativit dhe biznesit, investitorëve. përbën një ngjarje krejt e veçantë dhe shumë e rëndësishme.
Topalli përsëriti ftesën për investitorët e Turqisë dhe ata të vendeve të Detit të Zi, që të zbulojnë potencialet e mëdha të Shqipërisë në shumë fusha, si një shans dhe mundësi të jashtëzakonshme për biznes të suksesshëm.
Ndërsa Presidenti i TUSCON, Rizanur Meral, vlerësoi se: “Për botën e biznesit dhe biznesmenët, një nga çështjet më të rëndësishme është padyshim përkrahja e investimeve nga ana e shtetit. Në Shqipërika një stabilitet politik dhe Shteti Shqiptar po përkrah vazhdimisht investimet e huaja. Këtu ka mundësi të arta për biznesin.
TUSKON përbëhet nga 7 Federata dhe ka pothuajse aktivitet aktiv në mëse 80 qytete në Turqi me rreth 168 Unione Biznesi; është i pranishëm pothuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë turke dhe ka në anëtarësinë e saj mbi 100.000 kompani dhe mbi 35.000 biznesmenë. Me përfaqësitë në Bruksel, Uashington, Moskë dhe Pekin si dhe partneritet me institucione të ngjashme në afro 140 shtete të ndryshme të botës, TUSCON është aktualisht organizata civile më e madhe dhe më e gjerë në botën e biznesit turk.
Zona e Detit të Zi, me një rritje ekonomike prej rreth 7.3 % është aktualisht zona e dytë me rritje ekonomike më të madhe në botë. Me të ardhura vjetore mesatare prej 11.500 dollarësh, ditët e sotme volumi tregtar midis vendeve anëtare është rreth 1 trilion e 370 miliard dollarësh.