Tashmė edhe “Facebook” duhet tė marrė mendimin e pėrdoruesve tė vet nė rastet kur vendos tė ndryshojė politikat se si do t’i pėrdorė tė dhėnat e tyre personale. Raporti u mirėprit sidomos nga Kompanitė pėr Mbrojtjen e Konsumatorit.
Rrjeti social më parë ka bërë ndryshime për të cilat nuk i ka pyetur përdoruesit e vet. Por kjo faqe duhet ta ndryshojë këtë politikë pas një hetimi të Komisionit Federal të Tregtisë të Shteteve të Bashkuara (KFT). Nga ana e tij, “Facebook” nuk e ka komentuar ende këtë vendim. Në raport sugjerohet se kjo faqe duhet të marrë miratimin e një organizate të pavarur për 20 vitet në vijim lidhur me privatësinë e të dhënave të përdoruesve të vet. Sidoqoftë, nuk shpjegohet se si do të merret ky miratim.
Dyshimi
“Rrjeti social “Facebook” ka qenë historikisht rezistent lidhur me transparencën në veprimet e veta, kështu që ne i mirëpresim masat që do ta detyrojnë këtë kompani të marrë mendimin e përdoruesve në momentin që ndryshon rregullat”, u shpreh grupi “Privacy International” me bazë në Londër.
“Gjithsesi, – thuhet në deklaratë, – duket sikur kërkesat e KFT-së do të jenë vetëm një pengesë e përkohshme në rrugën ambicioze të këtij rrjeti social për të mbledhur të dhënat e përdoruesve. Të përballur me plot gjëra të vogla, të cilat për shumicën e përdoruesve, janë thjesht automatike, këta të fundit bien dakord me politikat e ndryshimit pa e kuptuar fare se ç’po bëjnë. Ndërkohë, çdo klikim i çon një hap më afër vizionit të Zukerbergut për një përdorim të lirë të të dhënave të tyre në të ardhmen”.
Krijuesi i rrjetit social, Mark Zukerberg, u pyet lidhur me politikat e privatësisë së firmës në një shfaqje televizive javën e kaluar.
“Secili ka kontroll mbi çdo gjë që ka ndarë në “Facebook” dhe mund të fshijë gjithçka”, u shpreh ai. Zukerberg tha gjithashtu se motorët e kërkimit dhe rrjetet e marketingut mbledhin “sasi të mëdha informacioni” për përdoruesit e internetit përmes viruseve, për të cilat nënvizoi se janë “më pak transparente sesa Facebook”.
Ankesa
Ndërhyrja e KFT-së lidhet me fushatën e Qendrës së Informacionit për Privatësinë Elektronike, me bazë në Uashington. Ajo mori disa ankesa në dhjetor 2009, ndërsa deklaroi se ndryshimi i kushteve të të dhënave personale të përdoruesve nga ana e “Facebook”-ut “dhunon pritshmërinë e përdoruesit, ul privatësinë e tij dhe bie në kundërshtim me prezantimet e vetë Facebook-ut”
Kjo Qendër vërejti se përdoruesit e faqes, ekspertët e sigurisë dhe të tjerë i kanë kundërshtuar këto ndryshime. Organizata ngriti një padi në vitin 2010 duke u shprehur se rrjeti social dhunonte ligjin e mbrojtjes së konsumatorit. Këtë vit, ata i kërkuan KFT-së që të hetojë mbi përdorimin nga “Facebook”-u i një programi për njohjen e fytyrave në fotografitë e ngarkuara nga përdoruesit. Veç kësaj u kërkua hetimi edhe i ndryshimeve që i dhanë mundësi “Facebook”-ut për të marrë “një informacion edhe më të detajuar nga përdoruesit lidhur me partnerët e tyre të biznesit”.
Pasojat
“Facebook” thotë se ai ka më shumë se 800 milionë anëtarë të cilët kanë përdorur këtë faqe të paktën një herë në 30 ditët e fundit.
Agjencia e lajmeve “Rojters” raportoi së fundmi se të ardhurat e faqes arritën në 1.6 miliardë dollarë në gjashtë muajt e parë të vitit me reklamat, falë popullaritetit.
“Facebook” nuk jep shifra të detajuara për këtë, megjithëse ka zëra se ndoshta mund të shesë aksionet e saj në vitin 2012. Ekspertët ligjorë thonë se çdo marrëveshje me KFT-në do të ketë ndërlikime për kompanitë e tjera të internetit. “Ndërsa KFT u kërkon kompanive që të jenë më të hapura lidhur me mënyrën se si i përdorin të dhënat e përdoruesve dhe që t’u japin atyre më tepër kontroll mbi to, Facebook dhe të tjerë do të jenë duke rimenduar mbi teknikat që do të përdorin për të joshur përdoruesit që t’i mbajnë të dhënat e tyre publike”, shprehen kompanitë për mbrojtjen e konsumatorit.