Alketa Xhafa ekspozon pėr herė tė parė nė Shqipėri. Ajo ėshtė artiste konceptuale. Idetė janė ato qė e kėrkojnė mediumin dhe ajo nuk ka njė medium tė vetin. Nuk ėshtė fotografe dhe puna qė ekspozon nė Tiranė ėshtė fotografi. Ėshtė diptik: “Dita pas”, “Java pas”. Njė trup gruaje me kokėn mbuluar nė thes si pengjet e luftėrave tė fundit, ėshtė takuar nė prizė; e njėjta grua ėshtė e stakuar nga priza.
Fotografia, një imazh i ngrirë brenda kornizës, është një shoqëri simbolesh që do përbënin tekste të pavarura. Ndezur/fikur është një opozicion me të cilin mund të mbushësh një thes me të thëna për gruan dhe për burrin, për mashkullin dhe femrën, si e shikon njëra-tjetrin, si e përdor tjetri-njërën.
Alketa ka tolerancën të mos i kundërshtojë mendimet që dëgjon për punën e saj. Gjesti i saj nuk duket thjesht prej artit të sjelljes. Duhet të ketë lidhje me vetë punën e saj që është e hapur për lexime të ndryshme. Shpesh kjo shumësi leximesh e largon vëmendjen nga thelbi i veprës dhe nga autori vetë.
Prandaj dëshmitë e krijuesve për punën e tyre kanë një vlerë më vete. Dikptiku sot quhet “Baby doll-on” dhe “Baby doll-off” nga kuratori që e ekspozoi për herë të parë, Shkëlzen Maliqi, i cili e komenton nisur nga raportet gjinore të zhdrejta dhe pozita e femrës në botën shqiptare.
Në qëndrimin e saj dyditor në Tiranë, pjesëmarrëse në Festivalin Mozaik – Ditët e Kulturës Vjeneze në Tiranë, artistja 31-vjeçare, nënë e dy djemve, që jeton në Londër prej 12 vitesh, ekspozoi edhe videon “Ai dhe unë”. Alketa tregon se idetë i zhvillon në vite. Ato flejnë gjatë para se të zgjohen. Dy punët e saj publiku i gjen të ekspozuara në shtëpinë njëdhomëshe prej metali, përpara oborrit të Galerisë Kombëtare të Arteve.
Alketa ishte pak e shqetësuar për riprodhimin e dy fotografive në Tiranë, sepse origjinalet ndodhen në Prishtinë, në shtëpinë e saj. Origjinali është i veshur me kornizë barok, e rëndë, ngjyrë ari. Mënyra e ekspozimit është pjesë e punës së artistit konceptual. Po kjo është Shqipëria, thotë Alketa, vendi që në fëmininë e saj, në Kosovën e Titos, ishte fiksuar në përfytyrim si pikë horizonti që do ta prekte një ditë.
Në çfarë rrethanash e ke bërë femrën-kukull?
Kjo punë titullohet “Dita pas” dhe “Java pas”. Shkëlzen Maliqi më kishte propozuar hapjen e një ekspozite personale në Prishtinë në vitin 2007. I sugjerova ditën pas 8 marsit.
Ky është qëndrimi yt që i kundërvihet një kulti të femrës në 8 Mars dhe përdorimit të tij pjesën tjetër të jetës?
Edhe kjo është arsyeja. Unë vetë jam femër shqiptare, nënë dhe grua, kam parë se jo vetëm në 8 mars është e domosdoshme t’i dhurosh lule femrës që është aktive gjithë vitin, ndërsa në ditën e gruas ajo është switched off. Me punën time unë ngre pyetje sepse nuk kam gjë për të deklaruar, nuk kam përgjigje për të pohuar.
Përse është koka e mbuluar si e pengjeve të luftës?
Sepse nuk kam dashur që vëmendja të shkojë te fytyra. Dua të tregoj femrën shqiptare që është shumë delikate dhe në të njëjtën kohë, shumë e fortë. Kjo vjen me simbolikat e vogla që tregojnë: pantallonat e shkurtra të kuqe si të meshkujve; shqiponja në anë që është njëfarë patriotizmi, njëfarë burrnie për një femër; dora në gjoks që është njëfarë privatësie; ndërsa kokën nuk do duhej ta tregoja sepse do të kishim pastaj një grua perfekte.
Ç’rol i jep arsyes?
Një grua në prizë është një grua në detyrë: qoftë kur është switched on edhe kur është switched off. Bota e mashkullit ka qenë qysh në krye të herës një botë diktuese, drejtuese ndaj femrës. Por unë them: unë jam ajo që jam, me mendjen time, dhe femrën shqiptare e drejton po ajo, femra shqiptare. Unë merrem me dy institucione që dallohen nga on-off dhe nga kurrfarë dallimi tjetër.
Një institucion që femra ngre me gjykimin mbi veten dhe një institucion që ngrenë të tjerët me gjykimin mbi femrën?
Mua më duket se kjo është e bukura e kësaj pune dhe e theksoj që nuk ia kam vënë unë emrin baby-doll.
Punë të tjera që lidhen me këndvështrimin femëror?
Së pari dua të sqaroj që nuk jam feministe. Jam marrë me një temë nisur nga këndvështrimi i femrës jo si qëllim per se. Gjithmonë takohet në punët e mia, një pikë, një shenjë e gruas, e femrës, apo e nënës. Në videon “Baba dhe unë” ku është edhe babai Xhevdet Xhafa i cili është artist, trajtoj një konflikt gjeneratash, nisur nga këndvështrimi femëror. Në videon “Ai dhe unë” që u shfaq natën e kaluar, kthehem prapa me kujtesë, në fëmini, në vitet ’80, në kohën e shkollës në Prishtinë.
Në murin e klasës varej portreti i Josif Broz Titos dhe unë habitesha sa i fuqishëm ishte ky njeri që mbante krejt vendin dhe njerëzit përkuleshin para tij. Mbas vdekjes, portreti i Titos filloi të hiqej prej murit. Unë kam menduar gjatë për një punë ku do mund të sfidohej kjo figurë e pushtetshme.
Në videon “Sofra”, objektin që shqiptarët e kanë përdorur për t’u ushqyer, unë e shoh si një shpirt që të ushqen emocionalisht. Ne njerëzit lindim pa kurrfarë influence, lindim të paqmë, e më vonë janë familja e institucione të tjera që ndikojnë, dhe bëhemi egoistë, xhelozë, vetjakë, aq sa e kemi të vështirë të besojmë se kemi diçka të keqe. Në vend që si individë të mbajmë përgjegjësi për atë që jemi, vuajmë dhe e çojmë jetën me këto tabiate që nuk pranojmë t’i njohim e t’i ndryshojmë.
Si motra e Sislej Xhafës bëjmë njëfarë lidhje të largët mes ikonave të kokës së mbuluar te puna jote dhe maskës gjigante te “Sistemi Ceremonial i Vajtimit” që ai ka ekspozuar në Bienalen e Venecias më 2005. Si ka ndikuar te njëri dhe tjetri mjedisi i përbashkët ku jeni rritur?
Ne jemi natyra të ndryshme. Ndoshta babai është ai që ka influencuar më së shumti. Kanë qenë ngjyrat e tij, kanë qenë leckat, kanë qenë sendet që i kemi marrë frymë e jemi rritur në atë botë. Unë jam magjepsur nga determinimi dhe vullneti i tim eti. Sisin shumë pak e kam pasur.
Ai ka qenë në Firence dhe nuk e kam parë në botën e artit Sisin aspak. Kështu që atë dashninë për art ma ka dhënë babai. Jetoj në Londër prej 12 vjetësh, kam studiuar atje. Në familje jam rritur të lirë, por duke parë përreth meje familjet kosovare, jam shtyrë që të reflektoj mbi femrën shqiptare.
Je nënë e sa fëmijëve?
E dy djemve, edhe një këtu (tregon barkun) që po rritet. Ka për të qenë një vepër arti. Ideja e një pune të ardhshme duhet të flejë tek unë. Shpesh i shkruaj idetë, i lë aty dhe iu kthehem. Nuk e bëj menjëherë punimin. Kur filloj të veproj, atëherë nuk jam më e qetë.
Unë besoj se çka e bën artistin unik, është diçka e brendshme, e fortë, e painfluencuar, që nuk i flet thjesht botës lokale, por universit. Arti duhet menduar botërisht. Jam akoma e re, një pikë ujë jam, akoma duke hulumtuar, sapo kam filluar, por besoj tek ajo që bëj dhe besimi është një hap drejt origjinalitetit.
Fotografia e Atdhe Mulla
Alketa Xhafa-Mripa
Është lindur më 1980 në Pejë të Kosovës, diplomohet në St.Martins
College të Londrës në vitin 2003 dhe më pas vazhdon studimet e saj mbi historinë
moderne të artit në Tate Modern. Më 2005 ajo merr pjesë në “Art’s Depot në Londër” ku fiton çmimin e “Artistes së Re Britanike”. Në te njëjtin vit punimet e saj vendosen në Paris në “Museum of Chaville”. Gjatë kësaj kohe, vlen të përmenden ekspozita si ajo në “Akademie der Künstler”, Berlin, “DocLisboa” në Lisabon, më tej në Ljubljanë, Firence, e shumë e shumë të tjera. Me veprat e saj Alketa Xhafa, spikatet si një nga përfaqësueset
më të denja të gjeneratës së saj, në një “Newborn-Country” si ai i shtetit të Kosovës. Në tematikën e saj, gjenden reflektime mbi rolin e gruas në shoqërinë moderne, parë si në një plan politik, po ashtu edhe ai personal. Alketa jeton dhe punon mes Londrës dhe Prishtinës.
Në shtëpinë njëdhomëshe
Prezantohet sot ekspozita “Ngjyra, ëndrra dhe konflikte”, shoqëruar nga biseda me artistët austriakë dhe gjermanë Philipp Morlock, Myriam Holme, Skafte Kuhn dhe B. Fleischmann. Sot, ora 18.00 në oborrin përpara Galerisë Kombëtare të Arteve.